Kërkesa për shfuqizimin e Speciales – përsëri në Kryesinë e Kuvendit

Prishtinë, 12 janar 2018 – As thirrjet e Uashingtonit dhe Brukselit duket se nuk ua kanë ndërruar mendjen Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Ramush Haradinajt që të heqin dorë nga përpjekja për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ata do të tentojnë ta realizojnë synimin e tyre në mledhjen e radhës të Kryesisë së Kuvendit.

Mbledhja e Kryesisë fillimisht ishte caktuar për të hënën, por pastaj është shtyrë për të mërkurën.

Kuvendi i Kosovës, sot gjatë ditës, e ka publikuar agjendën e kryesisë për ditën e hënë, më 15 janar, dhe pikat e rendit të ditës të kësaj mbledhje, por nuk e ka bërë publike pjesën kur në rend dite do të futet edhe Specialja.

Gazeta Express e ka siguruar gjithë agjendën dhe pikat tjera që ishin planifikuar të jenë pjesë e mbledhjes së kryesisë, më 15 janar.

Në rendin e ditës së Kryesisë janë përfshirë edhe dy pika lidhur me shfuqizimin e Gjykatës Speciale: njëra e kërkuar nga 43 deputetë të koalicionit PANA (PDK-AAK-NISMA-AKR) dhe tjera nga organizatat e veteranëve të luftës së UÇK-së, e shtruar përmes një peticioni.

Në pikën 6 është paraparë “Procedimi i Projektligjit për shfuqizimin e Ligjit nr.05/L-053 Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

Ndërkaq në pikën 7 është paraparë “Kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për Seancë të jashtëzakonshme”.

Tentimin e liderëve të tri institucioneve më të larta shtetërore që çështja e Gjykatës Speciale të futet në rendin e ditës të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit e  ka konfirmuar edhe shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së Avdullah Hoti.

Në një prononcim për Gazetën Express, të premten, Hoti ka thënë se kjo është e vërtetë, i cili ka përsëritur se qëndrimi i LDK-së për këtë temë tashmë është i njohur.

“Qëndrimi i LDK-se është i qartë. Kërkesa e miqve tanë ndërkombëtarë është e qartë, përfshirë edhe rekomandimin nga dy të dërguarit special të Francës dhe Gjermanisë, ditën e enjte”, është shprehur Hoti për Express.

Kryesia e Kuvendit mund të marrë vendime me votat e shumicës së anëtarëve të saj.

Më 22 dhjetor, Kryesia e Kuvendit dështoi të thërrasë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të proceduar projektligjin për për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, për shkak se në mbledhje nuk morën pjesë anëtarët e kryesisë nga radhët e LDK-së, Vetëvendosjes dhe Listës Serbe, si edhe shefat e grupeve parlamentare të këtyre partive. (r.m.)

Comment

*