Kërkesë azili në kufi

Avokati Kieran Both

Rubrika:Çështje të Emigracionit”: Avokati Kieran Both në përgjigje të letrave  tuaja: A mundem të qëndroj apo duhet të  shkoj?

 

 

Letra që na ka ardhur këtë javë nga një lexues është kjo:

Çdo ditë dëgjojmë për emigrantë që ikin nga vendi i tyre dhe  përpiqen të hyjnë në kufirin amerikan duke kërkuar azil. Çfarë ndodh në këto raste?  A i përzë qeveria amerikane të gjithë ata që kapen ilegalisht, apo disa mban?

DD

Hartford, Connecticut

Përgjigje: Kur dikush kapet në kufi apo pranë tij pa dokumenta të rregullta dhe u thotë se kërkon të aplikojë  për azil, pasi ka frikë të kthehet në vendin e tij, individit i jepet një spjegim  i hollësishme lidhur me procesin nëpërmjet të cilit ai do të kalojë. Nga ai moment deri në atë të marrjes në intervistë duhet të kalojnë përafërsisht 48 orë. Zyrtarët e azilit  marrin në intervistë personat të cilët janë subjekt i një deportimi të shpejtë. Intervista fokusohet nëse individi  ka frikë reale nga persekutimi në vendin e tij, apo përpiqet të mashtrojë. Nëse intervistuesi krijon bindje se frika e tij është e besushme atëhere ai vendos që individi duhet lejuar që të kalojë në seancën dëgjuese para gjyqtarit të emigracionit dhe të bëjë kërkesë për azil.

Personi duhet të provojë që është i ligjshëm për azil  apo ndonjë formë tjetër mbrojtje nga SHBA. Nëse gjyqtari i emigracionit krijon bindje se individi nuk është i besushëm atehere ICE e deporton nga SHBA.

Gjyqtari i Emigracionit gjithashtu shqyrton nëse individi diskualifikohet nga dhënia e azilit për shkak të një  akti kriminal. Nëqoftëse kjo qëndron, por personi provon se në qoftëse kthehet vendin e tij do t’i nënshtrohet torturës, gjykatësi i emigracionit  i jep shtyrje të deportimit.

Frikë e besueshme ndaj persekutimit është bindja që i krijohet gjykatësit të emigracionit gjatë rrëfimit të personit në seancën e dëgjimit, se ekziston një “mundësi e reale” që ai mund të jetë persekutuar ose ka frikë të bazuar, nga persekutimi (për shkak të racës, besimit fetar kombësisë, anëtarësimi në një grup të caktuar shoqëror (ose opinioni politik) nëse kthehet në vendin e tij. Përkthyesi vihet në dispozicion të azil kërkuesit. Zakonisht operohet nëpërmjet telefonit. Nëse individi nuk e kupton përkthyesin në çfarëdo momenti gjatë intervistës ai duhet t’ja thotë këtë intervistuesit. Nuk duhet të ketë droje apo  të mendojë se përkthyesi do të ofendohet. Intervistuesi i emigracionit e ndërron menjëherë përkthyesin,që atë ditë, pa qënë nevoja për të të bërë një intervistë tjetër në një ditë tjetër. Intervista mund të zgjasë një orë ose më pak.

Personit që intervistohet do t’i bëhen pyetje për të kaluarën e tij. Ai duhet të japë sa më shume spjegime e detaje për çdo lloj incidenti që i ka ndodhur  për të krijuar bindje tek intervistuesi që ka qënë i persekutuar Ai asnjeherë nuk duhet të hezitojë në dhënien e datave e fakteve, nuk duhet të përpiqet t’i marrë me mend , por t’i dijë me saktësi dhe nëse ka thënë ndonjë pasaktësi duhet ta korigjojë para se intervista të mbyllet dhe të konkludohet mbi ato çka thënë. Intervista nuk rregjistrohet. Intervistuesi mban shënime të cilat në fund  ia lexon azilkërkuesit  për saktësi, në përfundim të intervistës. Kjo intervistë përdoret në gjyq, ndaj nuk duhet të ketë pasaktësira që do të ndikonin në përfundim të intervistës. Nëse personi është plagosur në ndonjë rast, duhet ta përshkruajë ngjarjen me hollësi, plagosjen dhe trajtimin mjeksor që ka marrë. Është gjithashtu shumë e rëndësishme të përshkruajë se cili ishte shkaku  që e bëri të lerë vendin e tij, veçanërisht nëse ka të bëjë me një ngjarje specifike. Në se ka patur një serë problemesh, atëherë ai duhet ta spjegojë të gjithë situatën në total.

Në qoftëse individi kërkon të bashkohet me anëtarë të familjes në SHBA duhet ta përmendë këtë bashkë me arsyet që  e shtynë të ikte nga vendi. Ndodh që azilkërkuesit përpiqen që t’i bëjnë përshtypje përfaqsuesit të Emigracionit duke thënë se ata do të punojnë shumë  në këtë vend, do të kontribuojnë në shoqëri, gjë që mund të bëjë efekt të kundërt, pasi ai mund të mendojë që personi kërkon azil për arsye ekonomike. Nëse intervistuesi bindet përfundimisht se personi është i besueshëm në frikën e tij ndaj persekutimit  të mundshëm në atdhe, atëherë  i jepet një dokument (Notice to Appear (NTA) që të paraqitet në gjykatën e emigracionit dhe vendoset data në kalendar.

Nëse intervistuesi bindet se frika e azilkërkuesit për t’u kthyer  në atdhe është reale, personi në disa rrethana të caktuara mund të lirohet nga ndalimi  “on parole”. ICE e gëzon këtë të drejtë për raste të tilla. Pagesa (bond) për lirimin e personit mund të bëhet  nga një shtetas amerikan, apo rezident i përhershëm, në  një nga zyrat që janë për këtë qëllim.  Personi  e bën kërkesën për azilin duke mbushur formularin I-589, aplikim për azil. Kjo duhet bërë brenda një viti.

Departamenti i Mbrojtjes së Vendit  është i vetëdijshëm se mashtrimet jane shtuar duke përdorur si shkak “frikën e persekutimit” dhe po shton burimet e veta për zbulimin dhe parandalimin e tyre në proceset e azilit. Aplikantët dhe anëtarët e familjes së tyre duhet të jenë të vetëdijshëm se informacioni i marrë gjatë intervistës do të mbetet në dosjen e personave gjatë gjithë procesit të emigracionit.

Qëllimi ynë është që të ndihmojmë komunitetin shqiptar dhe të pajisim emigrantët me informacionin për të kërkuar ndihmë në mënyrë të pavarur.

Ne ju falënderojmë për komentet dhe pyetjet tuaja të vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’u përgjigjemi sa më shumë prej pyetjeve tuaja në të aardhmen. U ftojmë të na i drejtoni ato në adresën tonë e-mail tek [email protected]

 

Comment

*