KËRKOJMË NJËZËRI LIRIMIN E MËNJËHERËSHËM TË Z. RAMUSH HARADINAJ!

Ne Shoqatat me prejardhje nga trojet etnike nën Mal të Zi me veprimtari në SHBA, reagojmë dhe protestojmë ashpër kundër arrestimit arbitrar të ish komandantit të UÇK-së , dhe luftëtarit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ish kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj.

Z. Haradinaj u arrestua me 4 Janar të këtij viti nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit me rastin e udhëtimit të tij zyrtar drejt Washington DC, ku ishte i ftuar për të marrur pjesë në ceremoninë inaugurimit të presidentit të SHBA-ve. Ky arrestim u bë sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia, rreth 12 viteve më parë.

Ne vlerësojmë dhe konstatojmë se akti i arrestimit të z. Haradinaj nga ana e autoriteteve franceze, është një akt i pakuptimtë, i pajustifikueshëm dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës për ish- Jugosllavinë̈, (ICTY) me seli në Hagë, e cila e shpalli të pafajshëm z. Haradinaj, dy herë me radhë ( 2008 dhe 2012), për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.

Andaj edhe “akuza” e Beogradit zyrtar dhe i ashtuquajtur urdhër-arresti ndaj tij, është i pavlefshëm dhe manipulim i Serbisë me Interpolin dhe boten demokratike dhe ka për qëllim vetëm që të diskreditojë figurën e ish komandantit të UÇK-së dhe në këtë mënyrë të diskreditojë luftën e shumë luftëtarëve të tjerë shqiptarë të Kosovës të cilët rrokën armët gjatë konfliktit në Kosovë të viteve 1998/99 dhe u ngritën për të mbrojtur popullin e vet nga dhuna dhe masakrat e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë.

Por, ashtu si edhe herët e mëparshme as kësaj radhe Serbia nuk do t’ja arrijë qëllimit dhe do të dështojë në veprimet e saja për pengesën e lëvizjes së lirë të liderëve të Kosovës, përkatësisht të z. Haradinaj.

Me keqardhje themi se edhe pas 17 viteve të përfundimit të luftës në Kosovë, Serbia gjithnjë e ka vështirë ta pranojë të kaluarën e saj të dhunshme dhe që të gjykojë krimet e udhëheqjes së vet politike, që ajo ka bërë gjatë viteve “90-ta të shekullit të kaluar ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë, duke përfshirë edhe Kosovën.

I bëjmë thirrje autoriteteve franceze që mos të bijnë pre e politikës destruktive ,regresive dhe destabilizuese të qarqeve të caktuara politike të Serbisë, por që menjëherë të veprojë drejtë dhe të angazhohet në lirimin e z. Ramush Haradinaj !

New York

10 Janar 2017

Shoqatat: Malesia e Madhe New York . Shoqata Plave e Guci, Shoqata Ana Malit, Shoqata Malesia e Madhe e Detroitit, Shoqata Kraja, Shoqata Dom Simone Filipaj

Comment

*