KESH jep 12 milionë euro shtesë për portat e shkarkimit në Fierzë dhe Koman

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të marrë të paktën 12 milionë euro shtesë për projektin e sigurisë së digave. Ky i fundit ka nisur zbatimin nga viti 2008 dhe ka përqendruar punën në disa komponentë që së fundmi i janë shtuar edhe portat e shkarkimit në hidrocentralin e Fierzës dhe Komanit. Në një raport të fundit mbi projektin, Banka Botërore bën me dije se nevoja për fondin shtesë vjen për të përfunduar me sukses atë që është nisur, por edhe për të mos cenuar sigurinë e banorëve që jetojnë poshtë kaskadës së Drinit.

Në fakt, konstatimi për nevojën e ndërhyrjes në portat e shkarkimit është bërë qysh në fazat fillestare të projektit, por vetëm tani është vendosur se nevoja është emergjente për ndërhyrje. Në këto kushte, Banka Botërore i ka komunikuar këtë situatë Ministrisë për Financat dhe Ekonominë, e cila ka rënë dakord për të kërkuar shtesën e financimit.

Deri më tani, totali për projektin e sigurisë së digave ka kapërcyer vlerën 70 milionë euro dhe afati që pritej të përfundonte projekti i një dekade ishte mesi i vitit të ardhshëm. Me kushtet e reja kur pritet një shtesë financimi prej 12 milionë eurosh dhe kur kjo do të bashkohet edhe me një pjesë fondesh ekzistuese të projektit, me shumë mundësi do të kërkohet një afat i ri zbatimi përtej qershorit 2018.

Në fund të shkurtit të këtij viti pritet që të bëhet edhe rikomisionimi i plotë për punët e kryera në kaskadën e Drinit nën projektin e sigurisë së digave.

Në të njëjtin raport, Banka Botërore vlerëson se KESH duhet të reflektojë në studimin e fizibilitetit për menaxhimin e përmbytjeve të gjitha rekomandimet që janë bërë nga paneli i ekspertëve të bankës në takimin e mbajtur në shtator në Tiranë.

Monitor

Comment

*