Këshilla për biznesin e pronave? Revista “Forbes” i drejtohet ekspertit shqiptaro-amerikan

Valon Nikçi, i cili dikur ndërmjetësoi shitjen e banesës së shkrimtares së famshme Maya Angelou, zgjidhet në Këshillin e Ekspertëve të revistës së famshme “Forbes” për biznesin e pronave të patundshme

 

Nga Ruben Avxhiu

Revista më e famshme e biznesit në SHBA, “Forbes”, ka cituar shqiptaro-amerikanin Valon Nikçi, në një shkrim kushtuar biznesit të pronave të patundshme.
Duke pasur parasysh sesa e koklavitur është industria e pronave të patundshme, që nga blerje shitet e shtëpive, ndërtesave me zyra apo tregëtare, pallateve të banimit etj, te menaxhimi dhe ndërmjetësimi, revista “Forbes” ka pyetur një panel ekspertësh nga Këshilli i Forbes për Prona të Patundshme.
Pjesë e këtij paneli ekspertësh ishte edhe shqiptaro-amerikani Valon Nikçi i kompanisë Link NY Realty.
Nga bisedat me ekspertët, revista “Forbes” ka botuar “Shtatë këshilla për t’u kujtuar kur vendos synime për pronën e patundshme”.
Valon Nikçi ka dhënë këshillën e pestë:
“5. Hidhni një vështrim realist pasurive dhe financave tuaja aktuale”.
Këtë, Valoni, e ka përshkruar si vijon: “Ka disa gjëra që duhen mbajtur mend, por si CEO i një firme pronash të patundshme, kam mësuar se kyç është te jesh realist. Bëju realist për atë çfarë zotëron dhe bazoji mbi të synimet për vitin përpara”.
Valon Nikci themeloi Link NY Realty, në vitin 2011, pasi kishte krijuar një përvojë të mirë në disa kompani pronash të patundshme njujorkeze.
Në 2016, ai bëri bujë në median lokale kur ndërmjetësoi shitjen e pallatit, në Harlem, ku kishte banuar Maya Angelou, poetesha e famshme amerikane. Shitja për më shumë se 4 milionë dollarë kishte si broker ekskluziv Valon Nikçin.
Valoni është edhe veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesëmarrës bashkë me familjen në të gjitha aktivitetet e rëndësishme kombëtare që zhvillohen në Nju Jork.

Valon Nikçi

Comment

*