Këshillime politiko-ekonomike slloveno-shqiptare

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Ambasadori Andrej Logar, zhvilloi një vizitë dyditore në Shqipëri.

I shoqëruar nga Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në Tiranë, Lea Stančič, zëvendësministri Logar u takua me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, si edhe zhvilloi konsultime politike me zëvendësministrin e Jashtëm, z. Etjen Xhafaj.

Gjatë bisedimeve, u vu në dukje përparimi i rëndësishëm i Shqipërisë në rrugën evropiane.

Gjithashtu, u përsërit edhe mbështetja e Sllovenisë për fillimin e menjëhershëm të negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE.

Përpjekjet e Shqipërisë në kuadër të proceseve reformuese, që janë të lidhura ngushtë me progresin e vendit në procesin e pranimit në Bashkimin Europian, ishin tema qendrore e bisedimeve mes zëvendësministrit slloven Logar dhe Ministrit të Jashtëm shqiptar, z. Bushati.

Zëvendësministri shprehu shpresën e Sllovenisë se zbatimi i suksesshëm i reformave – veçanërisht në fushën e drejtësisë – do të inkurajojë përpjekjet e mëtejshme të Shqipërisë, si dhe do të kontribuojë në dhënien e një rekomandimi që Shqipëria të çelë negociatat e pranimit në BE këtë vit.

Ministri Bushati falënderoi Slloveninë për mbështetjen e procesit të zgjerimit brenda BE-së dhe për kontributin e Bashkëpunimit të Zhvillimit Slloven dhe ekspertëve sllovenë në forcimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Të dyja palët ranë dakord që rritja e bashkëpunimit ekonomik do të ishte çelësi për përmirësimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve.

Zëvendësministri Logar siguroi mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke përfshirë projektet dypalëshe të asistencës teknike.

Sllovenia është duke realizuar në Shqipëri disa projekte të rëndësishme zhvillimi, si: asistencë teknike për autoritetet lokale, projekte në fushën e menaxhimit të burimeve natyrore (rehabilitimi ekologjik dhe pyllëzimi) dhe projekti i forcimit të rolit të grave në mjedisin rural.

Gjatë konsultimeve politike, zëvendësministrat Logar dhe Xhafaj shqyrtuan bashkëpunimin dypalësh midis dy vendeve dhe zhvilluan bisedime mbi çështjet kyçe që prekin rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ata adresuan fushat kryesore ekonomike ku ka një interes të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin: menaxhimin e energjisë dhe burimeve natyrore, në veçanti burimet ujore, bujqësinë, turizmin dhe infrastrukturën.

Ata ranë dakord se së shpejti do të ketë konsultime në fushën e diplomacisë ekonomike, e cila do të shënojë mundësi konkrete për fillimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit.

Të dyja palët, gjithashtu, ranë dakord se ka një mundësi për bashkëpunim më intensiv midis dy vendeve në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë dhe diplomacisë multilaterale. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Zëvendësministri Logar zhvilloi takime edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Comment

*