Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump jep dorëheqjen!

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Mbaroi apo vetëm sa ka filluar saga e hetimeve për lidhje të ngushta me Rusinë të ish-gjeneralit amerikan

 

Administrata e Presidentit Donald Trump ka përjetuar dorëheqjen e parë madhore. Ish-gjenerali Michael Flynn, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare ka dhënë sonte dorëheqjen.
Sinjale të kësaj rënie të një prej njerëzve më të afërt të presidentit janë dhënë prej ditësh. Sidomos kur CIA refuzoi të lejonte një prej zëvendësve të Flynn që të lexonte materiale të rëndësishme sekrete.
Flynn ka qenë një nga njerëzit më besnikë ndaj Donald Trump gjatë fushatës zgjedhore, por qysh nga fillimi ai është ndjekur nga kritika dhe akuza për lidhjet e tij të tepruara me Moskën. Kontribues dhe përfitues honoraresh nga burimi i propagandës ruse, “Russia Today”, Flynn ka qenë shpesh në Rusi ku ka vendosur lidhje të forta.
Marrëdhënia e tij me Rusinë e ka dëmtuar Presidentin Trump, i cili jo vetëm që ka treguar një simpati të habitshme për Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, po edhe e ka rrethuar veten me njerëz të afërt me Moskën. Disa prej tyre u larguan shpejt, mirëpo Flynn mbijetoi.
Në fund të vitit të kaluar, kur Presidenti Barack Obama, ndëshkoi Rusinë duke larguar 35 diplomatë nga SHBA që dyshoheshin për spiunazh dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor amerikan, Flynn zhvilloi një bisedë telefonike të gjatë me ambasadorin rus në Washington.
Pas kësaj bisede, Rusia deklaroi se nuk do të përgjigjej duke larguar edhe ajo 35 diplomatë. Menjëherë pati dyshim se presidenti që po vinte mund të kishte bërë ndonjë marrëveshje mbrapa kurrizit të presidentit që po ikte. Kjo do të ishte e papranueshme jo vetëm për traditën, po edhe për ligjin amerikan. Flynn nuk ka pasur autorizimin të negociojë në emër të Shteteve të Bashkuara.
Se çfarë ka ndodhur në atë bisedë është ende mister. Mirëpo, Flynn ka hedhur poshtë akuzat se ka bërë marrëveshje në emër të Amerikës. Ai ka këmbëngulur se biseda ka qenë thjesht logjistike për të vendosur një datë për telefonatën Trump-Putin.
Këtë qendrim ka mbajtur edhe administrata Trump deri pak ditë më parë. Zv-Presidenti Mike Pence e mbrojti Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare nga akuzat.
Po duket se Flynn mund t’i ketë gënjyer të dy. Të gjitha bisedat me ambasadën rusë në Washington regjistrohen. Kjo ka qenë arsyeja se pse komuniteti i shërbimeve sekrete në SHBA ka qenë gati në gjendje revolte kundër administratës. Detajet e bisedës janë ende sekrete, por fakti që Flynn ka gënjyer njerëzit në rrethin e Presidentit Trump, mbase edhe vetë këtë të fundit, tani është i sigurtë.
Po ashtu nuk dihet se deri sa thellë është përzjerë Flynn në lidhjet e tij me Rusinë. Ka akuza që mund të ketë shitur sekrete. Ka akuza për shpërblime të mëdha financiare për të dhe djalin e tij.
Në politikë ka shumë akuza që bëhen për motive partiake po zhurma rreth ish-gjeneralit ka qenë e pazakontë. Dorëheqja e tij mund t’i japë fund spekulimeve, megjithëse disa presin që të vijojë një hetim nga FBI.
Mendohet se edhe vetë Presidenti Trump është nervozuar me sjelljen e këshilltarit të tij, gjatë takimit me kryeministren britanike Theresa May. Flynn thuhet se ka ndërhyrë më shumë se çfarë i takonte në bisedë, duke përmendur gjithashtu pa vend se kur do të bëhej telefona mes Trump dhe Putin.
Në postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn do të duhej të punonte ngushtë me shërbimet sekrete amerikane, një mision i pamundur deri tani për shkak të dyshimeve të tyre për të. Është i vetmi post në kabinet që nuk kishte nevojën e aprovimit nga Senati, ku Flynn nuk do të kishte “fluturuar” kurrë. Tani Presidenti Trump duhet të zgjedhë një këshilltar tjetër, vetëm tri javë pas ngjitjes në pushtet. (Ruben Avxhiu)

Comment

*