Kështu foli Rugova

Munish HYSENI

Kështu foli Rugova është përmbledhje e intervistave të Ibrahim Rugovës, mendjes më të emancipuar politike e intelektuale, frymëzuesit e ideologut  të demokracisë dhe themeluesit të shtetit të Kosovës, të botuara në shtypin e Kosovës gjatë një periudhe pesëmbëdhjetëvjeçare 1990 – 2005.

Intervistat e përmbledhura në këtë botim sintetizojnë idetë dhe veprimet koherente të Ibrahim Rugovës në dy plane: në organizimin e brendshëm të shqiptarëve dhe në planin e jashtëm, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe atë të Kosovës në veçanti.

Në planin e brendshëm veprimet e Ibrahim Rugovës janë veprime e komunikime jo vetëm kërkuese por edhe  ndikuese në thyerjen e dogmave, thyerjen e shtresimit të gjatë të ideologjisë komuniste, të njëmendësisë,  në krijimin e lirisë individuale,  ndërtimin e demokracisë së brendshme, pluralitetit të mendimeve e programeve që çojnë në drejtim të bashkimit në një lëvizje të madhe paqësore aktive në përballje me okupimin klasik, dhunën, krimin e shkatërrimin e qenies shqiptare nga pushteti serb gati një shekullor.

Krahas kësaj, Ibrahim Rugova, si askush më parë në historinë e shqiptarëve, nisi përpjekjet e mëdha për krijimin e miqve të çështjes shqiptare, duke u shndërruar gradualisht  në një personalitet, politikan e lider të pakontestueshëm  që artikuloi e afirmoi me këmbëngulësi kërkesat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi e sovranitet, në nivelet më të larta, nëpër kancelaritë dhe institucionet shtetërore evropiane e  botërore.

Mendoj se ky zhanër i gazetarisë, siç është intervista, i ka dhënë Ibrahim Rugovës mundësi të mëdha për të shprehur mendimet e veprimet e veta, për të elaboruar gjerësisht platformën e pavarësisë së Kosovës dhe çështjen shqiptare   përtej takimeve partiake, ndërpartiake e konferencave për shtyp gjatë viteve ’90 dhe më pas. Në fakt, këto i shërbejnë si afri dhe komunikim me popullin përkatësisht me shqiptarët e Kosovës .

Në diskursin e tij politik vërehen përsëritje të mendimeve e deklaratave për çështje thelbësore, të cilat i ka përdorur në vazhdimësi me intensitet të njëjtë, me insistim këmbëngulës, i vetëdijshëm për rëndësinë e tyre, por edhe për keqkuptimin nga oponentët  politikë të tij.

Leximi i këtyre intervistave dhe gjithë veprës së Ibrahim Rugovës, sot, si kurrë më parë, është i domosdoshëm, sepse ky vend, Kosova, dhe shqiptarët kanë nevojë të madhe për modele të tilla njerëzore që me fuqinë e mendjes dhe fisnikërinë  personale sfidojnë  urrejtjen, mllefin, padijen, lavdin e mburrjet e përditshme të njerëzve që sot pretendojnë se janë çlirues, ndërtues e udhëheqës të këtij vendi.

Intervistat e Rugovës, shumica prej të cilave janë realizuar në bashkautorësi, janë marrë nga gazeta e revista të Kosovës, si: “Bujku”, “Flaka e vëllazërimit”, “Fjala”, “Zëri”, “Zëri ditor”,  “Victoria”, “Bota sot”, “Koha”, “Ora”, “Bota e re”, “Shpresa”, etj. Shpresoj se janë gjetur dhe janë mbledhur të gjitha.

Duke e realizuar këtë botim, i cili është vetëm një pjesë e një projekti më të madh – përmbledhjes së të gjitha intervistave të Ibrahim Rugovës, të botuara në shtypin dhe në periodikun shqiptar jashtë Kosovës – në Shqipëri, në Maqedoni, në Evropë dhe në SHBA. Po ashtu, në këtë projekt besojmë se do të botohen edhe intervistat e Rugovës për radiot dhe televizionet në gjuhën shqipe , kudo që janë transmetuar ato.

Prishtinë, janar 2019

(Munish Hyseni është autor i librit bibliografik “Kështu foli Rugova”, i cili sapo doli nga shtypi. Ky tekst është parathënie e këtij botimi)

Comment

*