KGJK s’ka të dhëna për numrin e lëndëve të papërfunduara në veri

Prishtinë, 30 dhjetyor 2017 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) s’ka të dhëna se sa është numri i lëndëve të papërfunduara në veri të vendit.

Për këtë çështje ky institucion ka themeluar një komision që është duke u marrë me regjistrimin e lëndëve, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa nga viti 2008, prej kur nuk ka funksionuar gjykata në këtë pjesë të vendit janë parashkruar mbi 4 mijë lëndë të natyrës civile dhe penale. Marrëveshja për Integrimin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve serbë në sistemin kosovar të drejtësisë, e arritur mes Kosovës e Serbisë më 10 shkurt 2015, veç në këtë vit gjeti zbatim. Mos qasja në këtë pjesë të vendit, për kreun e KGjK-së, Nehat Idrizi, ka pamundësuar që të dihet numri i lëndëve të papërfunduar.

Sipas tij, komisioni i formuar nga institucioni që udhëheq pritet të dal me të dhëna të sakta, por nuk jep afat se kur këto të dhëna mund të jenë të gatshme.

“Aktualisht numri e saktë nuk e kemi për arsye se tani është formuar një komision i cili duhet të bëj regjistrimin e lëndëve aktuale që janë edhe me dit edhe numrin e lëndëve që ndërkohë kanë qenë të papërfunduara. Ne e dimë që para disa vite numri i lëndëve kanë mbet të bllokuara aty dhe tek pasi të bëjmë regjistrimin e tyre do të dimë numrin e saktë të lëndëve”, tha ai.

Por betimi i 40 gjyqtarëve dhe 13 prokurorëve në tetor kishte ngritur dilema të shumta lidhur me atë se a janë betuar me simbole shtetërore apo jo. Idrizi, tha se ndonëse nuk është në kompetencat e tij, dekretimi i gjyqtarëve të komunitetit jo shumicë nuk dallon nga ai i atyre shqiptar.

Sipas tij, dallimi i vetëm është se në preambulën e dekretit është e përfshirë edhe marrëveshja e Brukselit.

“Kompetencat e KGjK-së janë deri në momentin e procedimit të emrave gjerësisht të kandidatëve të cilët i kemi dhënë për betim të Presidenti. Momentin që ne i dorëzojmë të Zyra e Presidentin emrat e gjyqtarëve për dekretim këtu përfundon mandate ynë, çështja e procedurës së betimit dekretimit është çështje e Presidentit”, sqaroi ai.

“Unë thashë që dekretimin që e kemi ne, por që kanë edhe këta gjyqtarë nga komuniteti jo shumicë është i identik me tonin me përjashtim që në preambulën e dekretimit të tyre është e përfshirë edhe marrëveshjen e Brukselit, pra siç e thash ky ka qenë proces”.“Dekrete i kanë të gjithë të njëjtë sikur ne me përjashtim që në preambulën e dekretit është e përfshirë edhe marrëveshja e Brukselit për shkak se kjo marrëveshje është proces i veçantë që vjen nga një marrëveshje që është e lidhur mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.

Idrizi gjithashtu bëri të ditur se ka qenë e paraparë që të betohen 48 gjyqtarë, mirëpo deri në kohën kur është bërë betimi pesë nga ta kanë arritur moshën e pensionimit e tre nga ta kanë dhënë dorëheqje. Mirëpo pavarësisht stërzgjatje së procesit të integrimit të këtyre gjyqtarëve, Idrizi bëri të ditur se ky proces është duke u zhvilluar me sukses. Madje ai thotë se deri më tani nuk kanë pasur asnjë problem dhe se kolegët serb dhe shqiptarë mirëkuptohen njëri me tjetrin.

“Sa i përket procesit të integrimit të veriut mund të them se ky proces është përfunduar me sukses, pavarësisht zvarritjeve dhe stërzgjatje me vite të tëra është duke funksionuar si gjykatë unike pavarësisht se kjo gjykatë është e vendosur në dy objekte në veri është vendosur në Gjykatën e Qarkut në të cilën janë vendosur gjyqtaret e lëmis penale dhe një pjesë e stafit administrative ndërsa në objektin e ish-Jugo Bankës në Jug është vendos departamenti për çështje civile dhe ai për të mitur si dhe stafi civil”, tha kreu i KGjK-së.

“Deri në këtë moment nuk e kemi as problemin më të vogël qoftë mes stafit administrative apo edhe kolegëve të tyre gjyqtarë kanë raporte të ndërsjella kanë mirëkuptim mes veti bashkëpunojnë”. (r.m.)

Comment

*