Kim Filbi mburrej për dekospirimin e Desantit në Shqipëri: E shmanga luftën e tretë botërore

Spiuni i dyfishtë më i famshëm britanik i shekullit XX, Harold Adrian Russell, i njohur si Kim Filbi, nuk është penduar kurrë për asgjë që ka bërë gjatë shërbimit të tij si agjent i Shërbimit sovjektik të Zulimit, KGB.

Ai nuk ka shprehur keqardhje as për dekonspirimin e operacionit “Valuable”, në vitin 1949, ku e humbën jetën qindra antikomunistë shqiptarë që kishin për qëllim rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Madje, Filbi është mburrur me këtë akt të tij.

Në një ligjëratë të mbajtur para elitës së shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore, STASI, në vitin 1981, Filbi ka thënë se duke e dekonspiruar këtë operacion ai e kishte parandaluar luftën e tretë botërore.

Filbi u ka thënë kolegëve të tij të Gjermanisë Lindore se po të mos e kishte dekonspiruar operacionin kundër regjimit të Enver Hoxhës dhe operacioni të kishte përfunduar me sukses, agjencia amerikane e inteligjencës CIA dhe agjencia britanike e inteligjencës MI6 do të përpiqeshin ta bënin të njëjtën gjë edhe në vendet tjera komuniste. Sipas tij, në një situatë të tillë do të kishte ndërhyrë Bashkimi Sovjetik dhe kjo do të kishte çuar drejt “një lufte të përgjithshme“.

Këto pikëpamje, spiuni i njohur anglez, i ka shprehur në vitin 1981, në një ligjëratë për elitën e STASI-t, ku ka folur për karrierën e tij shumë të suksesshme si agjent i dyfishtë.

Video regjistrimi i ligjëratës, e cila është mbajtur sekret, është zbuluar nga BBC, në arkivin e STASI-it, në vitin 2016.

Besohet se ky është video-regjistrimi i vetëm ku Kim Filbi flet për punën e tij si agjent i dyfishtë.

Një dokumentar i korrespondentit për çështje të sigurisë, Gordon Korera, flet për përmbajtjen e ligjëratës së Kim Filbit para agjentëve gjermanë të lindjes.

Shkrimi i plotë i BBC-së (i përkthyer):

***

Kush ishte agjenti i dyfishtë Kim Filbi– aristokrati anglez dhe spiuni sovjetik

Gordon Korera

Korrespondent i BBC-së për çështje të sigurisë, BBC News

Para katër vjetësh në arkivat e BBC-së është gjetur dhe është shpërndarë menjëherë një video-xhirim të cilin njëri prej agjentëve më të njohur anglezë tregon se si ka punuar si agjent i dyfishtë për sovjetikët.

Në një shirit të vitit 1981, Harold Adrian Russel, i njohur si Kim Filbi, mban një ligjëratë sekrete para pjesëtarëve të shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore, STASI.

Ky ka qenë – dhe ka mbetur – i vetmi xhirim i ish agjentit të shërbimit sekret britanik MI6 ku ai flet për karrierën e tij në spiunazh – prej rekrutimit e deri në arratisjen e tij në Bashkimin Sovjetik.

Gjatë ligjëratës ai tregon se si ishte avancuar në MI6 në kohën që po i jepte informacione sekrete shërbimit sekret sovjetik KGB.

Në fund ua jep edhe njj këshillë agjentëve gjermano-lindorë.

 

“Të dashur shokë”

Me këto fjalë tashmë të njohura, të shqiptuara me theks të përkryer të shtresës së lartë angleze, e ka nisur ligjëratën e tij para një audience të zgjedhur të spiunëve të Gjermanisë Lindore njëri prej spiunëve më të njohur britanikë dhe tradhtari më i madh i tyre.

Ligjërata një orëshe e Filbit para agjentëve të STASI-t, e cila është ruajtur në një video-kasetë, është publikuar për herë të parë në vitin 2016.

BBC e ka gjetur atë duke “gërmuar” në arkivat zyrtarë të STASI-t, në Berlin.

Ligjërata e Filbit nuk ishte menduar për një audiencë të gjerë, por aty shihet qartë gatishmëria e ish-informatorit të MI6 për të folur hapur për rrugën e tij profesionale, krejtësisht ndryshe nga përvojat e zakonshme e deriatëhershme.

Regjistrimi është i turbullt dhe i sinkronizuar dobët, gjë që dëshmon për të gjitha kufizimet e atëhershme teknologjike.

 

“Kampi i armiqve”

Pas fjalës hyrëse të kryespiunit të Gjermanisë Lindore, Marcus Wolf, i cili ishte aq i pakapshëm për agjencitë e inteligjencës perëndimore sa që për vite të tëra e kanë quajtur “njeriu pa fytyrë”, në podium doli Filbi.

“Duhet t’ju paralajmëroj se unë nuk jam orator. Tërë jetën e kam kaluar duke u përpjekur që të shmang çfarëdo lloj publiciteti“, thotë Filbi.

Kjo është përafërsisht e saktë. Video-regjistrimi i parë në të cilin ishte shfaqur Filbi ishte ai i një konference shtypi, e vitit 1955, të mbajtur në banesën e nënës së tij, në Londër. Asokohe ai kishte folur shumë pak, vetëmsa kishte mohuar se ishte komunist.

Tani, në këtë video-regjistrim, e dëgjojmë për herë të parë Filbin duke treguar se si i kishte kaluar 30 vjet, siç shprehet, ”në kampin e armiqve”

Ai e përshkuan veten e tij si pjesëtar të “shtresës sunduese të Perandorisë Britanike” dhe shpjegon se si është tërhequr nga ideologjia komuniste gjatë shkollimit në Kembrixh.

Në mënyrë të detajuar përshkruan se si e kishte rekrutuar agjencia sovjetike e inteligjencës, më vonë e njohur si KGB, pasi ishte kthyer nga puna me aktivistë në Austri.

(Në enciklopedinë Britanica thuhet se kjo ka ndodhur në vitin 1933, kur Filbi ishte 21 vjeç)

Thotë se befasia më e madhe kishte qenë që rekrutimi kishte ndodhur pikërisht në kohën që ai nuk kishte pasur as punë dhe as gjasa që të gjente ndonjë punë.

“Ky, në esencë, ishte një projekt afatgjatë. Ata nuk prisnin rezultate të menjëhershme dhe as që mund të arriheshin shpejt ato “.

Agjenti i tij i ndërlidhjes sovjetike i kishte treguar se çfarë pritej prej tij.

“Unë e kisha krejtësisht të qartë se, nga këndvështrimi i Moskës, shënjestra më e mirë ishte shërbimi sekret britanik”.

Filbi përshkruan deri në detaje se si, me vite të tëra, e kishte ndërtuar karrierën e tij profesionale.

Ai kishte filluar si gazetar, duke raportuar për gazetën “Tajms” për luftën qytetare në Spanjë, ku kishte krijuar lidhje me zyrtarë. Pas mbarimit të luftës, kishte paralajmëruar se dëshironte të punonte për qeverinë.

Më në fund e kishte fituar një punë me konkurs dhe kishte filluar të punonte në “shenjtoren” e shtetit modern britanik, në Shërbimin britanik të Inteligjencës SIS, të njohur si MI6.

Në njërin prej detajeve më mbresëlënëse, Filbi zbulon se sa e thjeshtë kishte qenë t’u vidheshin dokumentet sekrete agjentëve britanikë.

Ai tregon se, thjesht, ishte miqësuar me një koleg të arkivit të agjencisë, i cili ishte i ngarkuar me ruajtjen e dokumenteve. Me të ishte miqësuar dhe dy ose tri herë në javë kishin shkuar së bashku edhe për të pirë në kafe-bare e restorante.

Kështu kishte arritur të siguronte edhe dokumente, të cilat nuk do të mund t’i sigurinte kurrë duke bërë vetëm punën e tij të rregullt.

“Po të kishte disiplinë të mirë në administrimin e dokumenteve në SIS, diçka e tillë do të ishte e pamundur. Por, aty nuk kishte kurrfarë disipline”, thotë ai.

Më tutje, Filbi tregon se çka kishte bërë me ato dokumente.

“Çdo natë dilja nga zyra me një çantë aktesh plot me raporte që i kisha shkruar vetë, por edhe me një grumbull dokumentesh të arkivit”.

“Shpesh ato ia jepja që atë natë agjentit tim të ndërlidhjes sovjetike. Në mëngjes ato dokumente i merrja përsëri. Në ndërkohë përmbajtja e tyre ishte fotografuar dhe, herët në mëngjes, unë mund t’i ktheja përsëri agto  në vendin e vet”.

“Kështu kam punuar me vite”.

Një histori shumë e ndyrë

Filbi, agjenti sovjetik, shumë shpejt ishte emëruar zëvendës i shefit të sektorit të sapothemeluar MI6 që merrej me luftën kundër spiunazhit sovjetik. Eprori i tij në KGB ia kishte caktuar një detyrë të re, të arrinte në krye të sektorit, duke e larguar shefin e tij, Felix Kaugil.

“Unë e pyeta: ‘Po më sugjeron ta vras apo diçka tjetër?”, tregon Filbi.

“Mora përgjigjen se duhet të përdoreshin intrigat burokratike. Dhe kështu fillova ta bëja detyrën time për të zëvendësuar shefin tim”, tregon ai.

“ Nuk do të duhej ta dëgjonit këtë”, u drejtohet ai agjentëve në publik, të cilët shpërthyen në të qeshura.

Ia doli.

“Kjo ishte një histori shumë e ndyrë. Në fund të fundit, puna jonë kërkon që, herë pas here, edhe t’i përlyejmë duart, por ne këtë e bëjmë për një qëllim që në asnjë mënyrë nuk është i ndryrë”, thotë ai.

“Më duhet të pranoj se kjo ishte intriga më e ndyrë ndaj një njeriu që ishte i dashur, të cilin edhe e admiroja, por kisha marrë udhëzime të tilla dhe këtu s’mund të ndryshoja asgjë”, thotë Filbi.

Është një ngjarje që zakonisht përmendet si ilustrim për humbjet njerëzore për shkak të tradhtisë së Filbit.

Kur ishte dërguar në Uashington, si lidhje mes MI6 dhe agjencive amerikane të inteligjencës CIA dhe FBI, ai e kishte dekonspiruar operacionin sekret për zbarkimin nga ajri të mijëra emigrantëve shqiptarë në atdhe, për të rrëzuar regjimin komunist. Shumë prej tyre ishin vrarë.

Gjatë ligjëratës, Filbi përpiqet ta paraqesë rezultatin e aksionit si meritë të tij, madje, pretendon se ai e kishte parandaluar edhe luftën e tretë botërore.

Po të mos e kishte dekonspiruar operacionin dhe ai të kishte pasur sukses, CIA dhe MI6 do të përpiqeshin të bënin të njëjtën gjë edhe në vende të tjera, si Bullgaria.

Ai thotë se në këtë rast do të ndërhynte Bashkimi Sovjetik dhe kjo do çonte drejt një lufte të përgjithshme.

Arratisja nga Bejruti

Derisa gjendej në Uashington, dy kolegë të tij nga Kembrixhi, gjithashtu spiunë, Guy Barges dhe Donald McLean, kishin ikur në Moskë, gjë që kishte ngjallur dyshime edhe në Filbin dhe kishte çuar në marrjen e tij në pyetje.

Ai thotë se ekzistonin dy arsye që kishte arritur të vepronte aq gjatë si spiun i dyfishtë. E para ishte sistemi klasor britanik, i cili nuk mund të pranonte se një pjesëtar i shtresës së lartë mund të ishte tradhtar. E dyta ishte fakti se shumë pjesëtarë të MI6 mund të kishin humbur shumë po të vërtetohej se ai ishte spiun i huaj.

Filbi u largua zyrtarisht nga MI6, por shumë shpejt u kthye përsëri. Ai u dërgua agjent sekret në Bejrut, me maskën e gazetarit. Kështu ai mund të vazhdonte të merrej me spiunazh.

Filbi e përfundon pjesën formale të ligjëratës për agjentët gjermano-lindorë me hisorinë e ikjes së tij nga Bejruti, me të cilën edhe e tall MI6.

Në vitin 1963, njëri prej kolegëve të tij të MI6 e kishte sfiduar me prova të reja që dëshmonin se ky po punonte për sovjetikët. Filbi kishte bllofuar dhe kishte filluar të bërtiste. Pastaj njëri nga agjentët e kishte marrë detyrën ta përcillte. Ai kishte qenë skitar i pasionuar dhe Filbi kishte filluar të fliste me të për borën në malet e Libanit. Kështu agjenti nuk kishte mundur t’i rezistonte tundimit e të mos e shfrytëzonte rastin aq të paptritur që të skijonte.

Atëherë Filbi e kishte marrë sinjalin nga KGB-ja se i ishte siguruar arratisja nga Bejruti.

Këshilla për jetë të dyfishtë

Filbi pastaj u përgjigjet pyetjeve të agjentëve gjermano-lindorë.

Në përgjigjen e parë fascinuese tregon se si i kishte fituar bindjet komuniste dhe u kishte mbetur besnik atyre edhe gjatë jetës në Perëndim.

Duke i shprehur mirënjohje agjentit të tij ndërlidhës sovjetik, ai i këshillon kolegët e tij se duhet të kujdesen edhe për shëndetin politik dhe fizik të oficerëve të zbulimit me të cilët ata bashkëpunojnë.

Ligjëratën e përfundon me këshillën, e cila, siç thotë, i ka ndihmuar shumë atij: “ Kurrë mos prano!“.

“Në qoftë se jua nxjerrin përpara ndonjë dokument me dorëshkrimin tuaj, thuani se është i falsifikuar. Thjeshtë, mohoni gjithçka!“.

“Më kanë marrë në pyetje që të më thyejnë dhe të më detyrojnë në pranoj. Më është dashur vetëm të mos reagoj“.

“Ju këshilloj që edhe agjentëve tuaj t’u thoni që të mos pranojnë kurrë”.

Kjo video, e xhiruar për të mbetur sekret, është një rast për ta dëgjuar Filbin duke folur për veten dhe për karrierën e tij si spiun.

Rrëfimi i tij e shpreh vetëbesimin e tij të plotë në veten e tij.

Filbi ka vdekur në Moskë, më 11 maj 1988, para rënies së regjimit komunist, të cilit i kishte shërbyer tërë jetën.

(Ramadan Muçolli)

 

 

Comment

*