Kim Mehmeti: Më mirë 2 gramë peshë në Tiranë, se sa 2 kilogramë kudo qoftë tjetër

Autori Kim Mehmeti solli romanin autobiografik “Pusi” me theks tek identiteti

Një roman autobiografik, i titulluar “Pusi”, u përurua në Tiranë me autorin Kim Mehmeti. Autori është njëkohësisht kryetari i jurisë së edicionit IV të ­çmimit letrar “Kadare” që shpallet si zakonisht në fund të muajit maj nga “Mapo Editions” pjesë e Universitetit Europian të Tiranës.

Në ceremoninë e organizuar në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, autori Kim Mehmeti u tha lexuesve se ka kaluar mirë në hapësirën ku jetojnë shqiptarët, pavarësisht grupeve etnike:

“Unë e di që ne periferitë jemi të rëndësishëm, sepse ndonjëherë periferia e ushqen me gjak të freskët qendrën. Mirëpo qendra është ajo që mund ta bëjë veprën shqiptare, aty do të jetë ajo më e vlefshme dhe aty do të jenë peshoret e shqiptarisë”.

Megjithatë ai theksoi se është tjetër gjë të botohet në Tiranë:

“Mirë kam kaluar edhe në hapësirën maqedonase përsa i përket letërsisë, edhe në atë serbe nëse doni. Më kanë ­çmuar, më kanë botuar. Mirëpo, unë kam ndjerë nevojën të jem në peshoren e Tiranës dhe le të jetë ajo edhe 2 gramë. Më mirë 2 gramë në Tiranë, se sa 2 kg kudo qoftë tjetër”.

Drejtoresha e “UET Press”-it, Alda Bardhyli tha se puna e Kim Mehmetit është ndihmesë shumë e madhe në kujtesë dhe identitet.

Bardhyli theksoi se për një vend si shteti fqinj maqedonas, si të gjitha vendet e Ish-Jugosllavisë, ka ende pa mbyllur procesin e rishkrimit dhe ndërtimit të kujtesës.

Andaj, sipas Bardhylit, romani i Mehmetit jep ndihmesë në këtë drejtim.

Comment

*