Kisha Serbe planifikon agresion të ri në Kosovë

Milazim Krasniqi

Edhe pse kam shkruar disa herë se si çështja e Kosovës për serbët është në rend të parë çështje religjioze, asnjë institucion i vendit deri sot nuk ia ka vënë veshin këtij paralajmërimi. Ka vazhduar amullia e mendimit ndër ne, ka vazhduar injorimi i çdo mendimi që del jashtë stereotipeve që ka imponuar politika neokoloniale, vasale dhe sterile.

Përderisa tek ne mendimi është dënuar me injorim, në Serbi po vazhdon “dialogu i brendshëm për Kosovën”, ku tashmë janë kristalizuar disa projekte të cilat, nëse do të zbatohen, do ta shkatërrojnë Kosovën.

I tillë është edhe projekti i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), i cili parasheh që ajo në të ardhmen të emërtohet “Kisha Ortodokse Serbe-Patriarkana e Pejës”. Qysh tash mund të thuhet se ky emërtim do të jetë një agreson i ri religjioz serb ndaj Kosovës, me pretendimin e fuqishëm që Kosova të paraqitet në Serbi e në botë ekskluzivisht si “tokë e shenjtë serbe”.

Mobilizimi nacionalist i serbëve me këtë emërtim, me siguri do të jetë shumëfish më i madh në të ardhmen, kur gjeneratat e reja thjesht do ta marrin si të mirëqenë faktin se selia e Kishës Ortodokse Serbe qenka në Pejë dhe se duhet të luftohet për çlirimin e selisë së saj dhe gjithë “tokës së shenjtë serbe”.

Por, nuk është në pyetje vetëm riemërtimi i Kishës Ortodoske Serbe, po edhe riorganizimi i saj. Sipas riorganizimit që planifikohet me Kushtetutën e re të KOS-it, patriarku do të zgjidhej në Pejë (merreni me mend çfarë batërdie serbomadhe do të bëhej me ato ceremoni!) dhe Kosova do të ishte qendra kryesore e organizimit të asaj kishe.

Në një prononcim për mediet serbe, një zyrtar i saj  ka deklaruar se “ndryshimet e titullit zyrtar të Kishës Serbe arsyetohen me dëshirën që të forcohet lidhja me selinë e saj me Patrikanën e Pejës dhe me Kosovën e Metohinë, si pjesën më të rëndësisshe të juridiksionit të saj”. Pra, ashiqare, synim është serbizimi i Kosovës, me anën e propagandës religjioze ortodokse serbe.

Tash për tash, nga Kosova nuk ka asnjë reagim, asnjë kundërshtim. Institucionet tona vazhdojnë të merren me mozsgjidhjen e problemeve (numrin e veteranëve, shtesat e arsimtarëve, grevën e SBASHK-ut, lojërat me Demarkacionin, etj) ndërsa ky projekti më i ri i Kishës Ortodokse Serbe, nëse lejohet, do të jetë një goditje fatale mbi shtetësinë e Kosovës.

Po qe se lgjitimohet ky projekt, do ta fuqizojë narracionin sipas të cilit shqiptarët këtu janë ardhacakë, të cilët një ditë duhet të dëbohen.

Prandaj, institucionet tona shtetërore duhet të reagojnë prerazi që kjo të mos lejohet. Lëshimet që i janë bërë Kishës Ortodoske Serbe me Planin e Ahtisarit janë maksimale. Faktikisht, ato lëshime e kanë shndërruar atë kishë në  “shtet në shtet”.  Nëse përtej atyre lëshimeve bëhen edhe të tjera, do të ishte një pjesëmarrje direkte në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, në në të ardhmen jo fort të largët.

Pse?

Sepse me atë rast Rusia do të dinte të gjente një pretekst për ndërhyrje brutale, gjoja në mbrojte të juridiksionit dhe të lirisë së Kishës Ortodokse Serbe – Patriarkanës së Pejës.”

6 mars 2018

(Autori është shkrimtar dhe profesor i Universitetit të Prishtinës)

One Response to “Kisha Serbe planifikon agresion të ri në Kosovë”

Read below or add a comment...

  1. Veterinari i Milazimit says:

    I mderuari Ahamk,

    Eshte e vertete s kisha shkavelle ka bere dhe ben agresion……por edhe agresioni Islamik po deperton ne Kosove permes muslimaneve sikur ti…..qe jeni tradhetar 10000000%.

    Prandaj agresionet religjioze jane te rrezikshme shum…veq ne perioden 1999-2008 ne Kosove jane ndertuar ma shume xhamija agresore se nenperioden 542 vjeqare te sundimit Otoman.

    Perndryshe ti je pis .

Comment

*