KLSH çon për ndjekje penale dy auditues në doganën e Durrësit

Dardan Malaj

Dy auditues të Doganës së Durrësit janë dërguar për ndjekje penale nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas konstatimit të një sërë shkeljesh ligjore. Xh.D. dhe E.T, në shkelje të plotë të ligjit organik të KLSH-së, rregullores së brendshme të institucionit dhe standardeve të auditimit, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Nga kontrolli i kryer rezultoi që këta auditues, në tejkalim të kompetencave të tyre, kanë vendosur që të mos kryejnë dhe mos pasqyrojnë në raport, auditimin e dy prej pikave më të rëndësishme dhe të konsideruara si pika me risk tepër të lartë auditimi, konkretisht auditimin e regjimeve të përpunimit pasiv dhe regjimeve të magazinimit doganor, duke shmangur në këtë mënyrë detyrimet financiare, shkeljet dhe përgjegjësitë që do të rezultonin në rast të kryerjes së këtij auditimi.
Sipas njoftimit zyrtar të KLSH-së ata kanë vendosur që në raportin përfundimtar të auditimit të fshehin qëllimisht dhe të mos pasqyrojnë faktin që nga ana e tyre nuk ishte audituar përllogaritja e detyrimeve doganore të karburanteve në sektorin e Porto Romanos.
Me konstatimin e këtyre shkeljeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ndërmarrë ndaj dy audituesve të mësipërm edhe masën përkatëse disiplinore të “Largimit nga shërbimi civil”.
Më herët Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi edhe rezultatet e hetimeve të kryera në disa njësi të qeverisjes vendore duke kallëzuar penalisht nëpunës të Bashkisë së Kavajës, Bashkisë së Kuçovës ashtu sikurse ish shefin e Kabinetit të Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale dhe drejtorin e Drejtorisë së Inovacionit për dëm 100 mijë dollarësh ndaj buxhetit të shtetit.

Comment

*