Klubi i Kongresit Amerikan: Pjesëmarrje shqiptare në Drekën Vjetore me Zonjën e Parë, Melania Trump

Nga Beqir Sina

New York, NY – Fondacioni i Klubit të Kongresit në Washington D.C., organizoi në muajin maj, Drekën e 107-të vjetore për të nderuar Zonjën e Parë të Amerikës, Melania Trump.
Klubi Kongresional numëron në radhët e tij bashkëshortët e anëtarëve të tanishëm dhe të mëparshëm të Kongresit e Senatit, të Administratës së Presidentit dhe Gjykatës Supreme, udhëheqësit e biznesit, filantropët etj.
Shumë prej anëtarëve me familjet e tyre, si dhe miq të nderuar të Klubit të Kongresit, u mblodhën në këtë drekë vjetore, që përfshiu personalitete të dy krahëve politikë në SHBA, republikanë dhe demokratë.
Ceremonia u drejtua nga Pat Engel, e cila është edhe Presidente e Klubit të Kongresit. Pat njihet nga komuniteti ynë më shumë si bashkëshortja e kongresistit Eliot Engel, miku i madh i shqiptarëve, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan.
Kongresisti Engel po ashtu mori pjesë, i shoqëruar në tavolinën e tij nga aneëtarët e familjes së tij si dhe aktivistë të njohur të komunitetit shqiptaro – amerikan: botuesi i gazetës “Illyria”, në New York, Vehbi Bajrami me bashkëshorten Gena dhe Harry Bajraktari me anëtarë të familjes.
“Jam e nderuar që po marr pjesë në Drekën e 107-të të Zonjës së Parë, që po organizohet nga Klubi i Kongresit. Kjo është një mundësi e mrekullueshme për t’u bashkuar me zonjat dhe bashkëshortët e tyre në këtë ngjarje dypartiake. Faleminderit për të gjithë ju dhe donacionet bujare që jepni për këtë mbështetje dhe kujdesin që tregoni për komunitetet tona”, tha Zonja e Parë e Amerikës, Melania Trump.
Karen Pence, Zonja numër Dy, bashkëshortja e Zëvendës-Presidentit Mike Pence, shkruajti në statusin e saj në facebook : “Me të vërtetë, gëzuar për të festuar drekën tonë të mrekullueshme, në Ditën e Zonjës së Parë, eventin e këtij viti që ka nisur që nga viti 1908”.
Klubi i Kongresit është i angazhuar në një numër veprimtarish humanitare dhe këto darka vjetore janë pjesë e procesit të tij të mbledhjes së fondeve të mbështetur këto veprimtari. Klubi është një nga organizatat e fondacionet më të nderuara dhe më të respektuara në kryeqytetin amerikan.
“Kjo ishte një ngjarje e jashtëzakonshme ku merrnin pjesë personalitete të shquara nga Kongresi, Senati e Shtëpia e Bardhë. Takime të tilla janë një rast i mirë për të biseduar me ta si ta mbështesin Kosovën e Shqipërinë”, tha Gena Bajrami.
Me kënaqësine dhe privilegjin që po bëhej pjesë e kësaj ngjarjeje kaq madhështore, zonja Bajrami, në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, pak përpara fillimit, postoi me krenari një fotografi me shënimin: “Në drekë, me Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, organizuar nga Congressional Club në Washington DC! – (Ceremonia fillon së shpejti)”.
Dita vijoi me veprimtari të ndryshme përfshi edhe një koktej në mbrëmje, në të cilën merrte pjesë edhe Nancy Pelosi, Kryetarja e fuqishme e Dhomës së Përfaqësuesve, në Kongresin Amerikan, e cila nuk kishte mundur të merrte pjesë në drekën e organizuar nga Klubi Kongresional. Kryetarja Pelosi mbajti një fjalim të shkurtër me këtë rast.

Comment

*