KM Edi Rama kujton Ali Sami Jenin

Mesazhi nga kryeministri Edi Rama në facebook:

💐HOMAZH

Për shqiptarët, Ali Sami Yen mbetet një figurë thuajse misterioze edhe pothuajse 70 vjet pas ndarjes së tij nga jeta në Stamboll, më 29 korrik 1951.

Djali i parë i Sami bej Frashërit, sipas historianëve turq ishte mjaft kureshtar dhe vinte nga një familje ku secili ishte lindur për të përmbushur diçka të rëndësishme.

Mjaft gjëra të rëndësishme realizoi në fakt ky pinjoll karizmatik i Frashërllinjve dhe në çdo sfidë me të cilën u përball dëshmoi se dinte të ngadhënjente.

Mbiemri që përvetësoi si nënshtetas turk, “Yen” – ngadhënjej, i shkon më së miri edhe si emër përkufizues i historisë së tij.

Sportin, mbi të gjitha futbollin, tek i cili Ali Samiu shihte një mënyrë disiplinimi, tejkalimi të vetvetes dhe vënieje në brazdë të energjive për ngadhënjim, ai e ktheu në mesin e rinisë turke, në një formë kalorësie dhe oborrësie që përbashkonte miletin drejt një objektivi epror.

“Duhet të ndeshemi në skuadër si britanikët, të mbajmë emrin dhe ngjyrat e shquarsisë dhe të ngadhënjejmë mbi ekipet jo-turke”, shkruante ai.

Ngjyrat e kuqe dhe të arta, emri i hijshëm i Gallatasarajit, ku ende sot qytetërimet shuajnë etjen në të njejtat burime, fryma e pathyeshme e skuadrës që ai kodifikoi deri në detajet më të imta, e bëjnë Ali Sami Yen-in një nga mjeshtrat e mëdhenj të sportit në botë, estet i arkitekturës njerëzore në lëvizje pas topit dhe frymëzues i Turqisë së Re; e padyshim, një nga mendjet e diamantëta që leu prej gjakut shqiptar, u përkund në djepin e urtësisë së Frashërllinjve dhe mbeti në historinë e vendit ku kaloi tërë jetën si një idhull i rinisë, emrin e të cilit e mbajti si flamur stadiumi legjendar i Gallatasarajit.

One Response to “KM Edi Rama kujton Ali Sami Jenin”

Read below or add a comment...

  1. Illo Foto says:

    Nje pinjoll , pak i njohur , por i ben nder vendit , jo vetem nga dera e origjines , por dhe meritat e tij ne fushen e sportit . Nje portret , qe te ben per vete , me tiparet e rraces tone , qe njihet si rrace e bukur , ne Mesdhe . Nuk kisha , per ta njohur kete pinjoll frasherllinj , po qe se nuk do ta botonte “Ylliria “. I. Foto – NY

Comment

*