KM Edi Rama synon rindërtimin e qytezave dhe lagjeve të reja në zonat e tërmetit

Për planin e rindërtimit këshillimet do të bëhen me arkitektë dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë

Denion Ndrenika

Qeveria në Tiranë po shqyrton vendimmarrjen për planet e kthimit të vendit në qetësi dhe normalitet pas tërmetit të 26 nëntorit që u mori jetën 51 personave dhe plagosi mbi 950 të tjerë.

Kryeministri Edi Rama tha se programi i rindërtimit është në themel të qeverisjes për më shumë se 9 mijë banorë që mbetën pa banesa.

Rindërtimi përfshin zonën Durrës-Tiranë-Laç dhe me kryerjen e vlerësimit të saktë të nevojave të qytetarëve.

Në mbledhjen e gjashtë të jashtëzakonshme këtë mëngjes, zoti Rama theksoi se synon ndërtimin e lagjeve apo qytezave tërësisht të reja dhe jo banesat e zakonshme sociale:

“Skenari im i preferuar është ndërtimi i qytezave të reja. Në Durrës një lagje komplet të re me infrastrukturë, kanalizime, me ujësjellës, kopësht, çerdhe, me shkollë, mjedise publike dhe me mjedise banimi. Në Tiranë lagje të madhe dhe dy më të vogla. Në zonën e Kurbinit, një lagje të vogël. Objektiv afatmesëm 10 mijë apartamente dhe objektiv afatshkurtër 5 mijë apartamente”.

Për planin e rindërtimit këshillimet do të bëhen me arkitektë dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.

Ndërkaq, zoti Rama në një takim në mesditë, tha se platforma “shqipëriaqëduam#” do të jetë në dispozicion të të prekurve nga tërmeti dhe jo për shqetësimet e tjera.

Comment

*