KOK u ndan Bursa Olimpike 19 sportistëve kosovarë

Prishtinë, 23 tetor 2017 – Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nënshkruar sot kontratat për Bursa Olimpike “Tokio 2020” për 19 sportistët më të mirë të Kosovës.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm edhe kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila i prin listës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, trajnerë dhe drejtues të federatave të shumta sportive.

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, ka thënë se Bordi i KOK-ut i ka përzgjedhur 19 sportistët më të mirë të vendit që do të jenë fitues të Bursave Olimpike dhe ka shpjeguar se KOK-u ndan rreth 300 mijë euro për këto bursa.

“Falë kritereve të përcaktuar nga solidariteti i KON-it, bazuar nga përvojat e mira nga Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’ dhe eksperienca të Komitetet Olimpike Kombëtare, Bordi Ekzekutiv i Komiteti Olimpik të Kosovës, më një përkushtim të skajshëm ka përzgjedhur 19 sportistët më të mirë që i ka Kosova për të qenë përfitues të Bursa olimpike ‘Tokio 2020’. Këta 19 sportistë u takojnë tetë sporteve olimpike individuale dhe nëntë prej tyre janë të gjinisë femërore. 7900 dollarë amerikan ndahen për çdo muaj për 36 muajt në vijim që në total kalon shumë 255 e 600 mijë dollarë amerikan. Nëse kësaj shumë i shtohen edhe bursat për Lojërat Olimpike Dimërore në Piynk Qan 2018, atëherë del se falë mjeteve nga Solidariteti Olimpik i Kon, por edh mjeteve tjera të gjeneruara nga partnerët publik e privat, KOK-u për bursa olimpik ndan rreth 300 mijë dollarë”, ka theksuar Hasani.

Ministri i Kulturës, Rinis dhe Sportit të Kosovës (MKRS), Kujtim Gashi, ka thënë se këto bursa do të ndikojnë në ngritjen e performnacës së sportistëve që përfituan Bursa Olimpike. Ai ka premtuar se ministria që e drejton ai do të jetë në mbështetje të sportistëve që do të arrijnë suksese.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot po organizohet ceremonia e nënshkrimit më 19 sportistë më të mirë të Kosovës, të cilëve u prin Majlinda Kelmendi, fituese e medaljes olimpik nga Olimpiada e Rios. Pa dyshim se kjo mbështetje e drejtpërdrejt për këta sportistë do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në rritjen e performancës së tyre në drejtim të arritjes së normës olimpike që do t’u mundësonte pjesëmarrjen e sigurt në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’”, ka thënë ai.

Trajneri xhudos, Driton Kuka, ka shprehur bindjen se sportistët që përfituan bursa do të arrijnë suksese në tapetet ndërkombëtare me theks të veçantë në Olimpiadën e ardhshme, ‘Tokio 2020’.

“Ky konfiguracion i sportistëve po me jep shpresë. Të them të drejtën, ata bursistat e Rios m’u kanë dukur më të ligshtë, kurse këta po më duken pak më seriozë dhe po besoj se do të arrijnë norma olimpike, të paktën në tri sporte, që do të jenë vlerë dhe e di se katërvjeçarin e kaluar, sporti i Kosovës ka shumë medalje, shumë medalje nga kampionatet evropiane e botërore, dhe në fund u kurorëzua me medalje olimpike. Në emër të trajnerëve zotohem se do të punojmë seriozisht që të fitojmë bursa olimpike dhe patjetër që nga Tokio do të kthehemi me medalje olimpike”, ka thënë Kuka.

Edhe karateisti Herolind Nishevci ka shprehur bindjen se sportistët kosovarë nuk do tw kthehen duarthatw nga Tokio.

“Unë, si çdo sportist, jam i lumtur për këtë burse. Wshtë një motivim shumë i madh për ne që edhe në katër vjeçarin e ardhshëm të sjellim edhe shumë medalje. Për këtë gjë dua të falënderoj Komitetin Olimpik të Kosovës dhe shpresoj se do t’ë sjellim sa më shumë medalje Kosovës”, ka thënë Nishevci.

E krenaria e sportit të Kosovës, Majlinda Kelmendi, beson se Kosova do të ketë një ekip shumë më të fortë në ‘Tokio 2020’. Ajo është e bindur se sportistët që përfituan bursa nga KOK-u do të arrijnë normat olimpik për Olimpiadën e ardhshme.

“Unë vetëm dua të falënderoi Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Komitetin Olimpik ndërkombëtar, në emër të sportistëve për këtë burse, e cila sigurisht se i ndihmon mjaft sportistët që të përgatiten për Lojërat Olimpike. Unë shpresoj shumë që shumica nga ne që jemi këtu ta fitojnë normën olimpike dhe te kemi një ekip më të madh shumë më serioz sesa që kemi pasur në Rio 2016”, ka theksuar Kelmendi.

Xhudistja pejane beson se sportistët e Kosovës në katërvjeçarin e ardhshëm do të arrijnë suksese edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare. (r.m.)

Comment

*