Kokëdhima: Rrugën e Kombit e kthyen në rrugën e turpit

Tiranë, 28 mars 2018 – Kryetari i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, ka folur mbi vendimin për vendosjen e taksës së qarkullimit në Rrugën e Kombit.

Ai ka thënë se me këtë vendim Rruga e Kombit u shndërrua në rrugë të turpit.

Kokëdhima ka thënë se ai nuk është kundër koncesioneve në përgjithësi, por i kundërshton koncesionet që i jep qeveria, sepse ato janë në dëm të qytetarëve dhe janë kryer pa transparencë.

“’Zgjidhja’ ka reaguar edhe për ketë çështje, përmes disa shkrimeve nga drejtues të lartë të saj. Ne nuk jemi kundër koncesioneve në vetvete, por jemi në përgjithësi kundër koncesioneve qe jep qeveria e Shqipërisë, sepse në përgjithësi ka dhënë koncesione në dëm të qytetarëve, në dëm të interesit publik, ta pajustifikuara, pa transparence. Ne i kemi trajtuar Partneritetet Publiko Private që kanë qenë katastrofë”, ka thënë Kokëdhima.

“Normale është të vendoset tarifë në një rrugë që ndërtohet me para private. Kompanitë shqiptare nuk duhet të anatemohen për koncesionet që bën qeveria Rama. Çdo kompani do ta kishte qëllim të shkonte mirë me qeverinë dhe nuk është përgjegjëse për të mbrojtur paratë dhe interesat e popullit. Përgjegjësinë e ka Qeveria. Rruga e Kombit ka simbolikë të madhe në vetvete. U prokurua pa transparencë. U kushtoi shqiptarëve 1.3 miliardë euro, për shkak të korrupsionit të qeverisë Berisha”, është shprehur Kokëdhima në “syri.net”. (r.m.)

Comment

*