Kom.i Ligjeve miraton aktet e buxhetit dhe tatimit mbi të ardhurat që lidhen me Koronavirusin

Qëndrueshmëria e Buxhetit të Shtetit është e rëndësishme të garantohet në çdo kohë, por ajo merr një rëndësi të veçantë gjatë periudhave të vështira

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, nën drejtimin e kryetarit, z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e realizuar nëpërmjet sistemit online Cisco Webex, Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 6, datë 21.03.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020”, si dhe Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 10, datë 26.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për një ndryshim në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar””.

Të dyja këto Akte normative të propozuara nga Këshilli i Ministrave, vijnë në një moment kur Organizata Botërore për Shëndetësinë ka shpallur pandeminë botërore për përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, dhe në këtë situatë, kontrolli i sëmundjeve infektive dhe i përhapjes së tyre është një nga shtyllat kryesore në mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës.

Relatori i të dy Akteve normative ishte deputeti socialist z. Bashkim Fino. Gjatë relatimit të tij për Aktin normativ nr.6, z.Fino theksoi se nevoja dhe urgjenca lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me mbajtjen nën kontroll dhe garantimin e qëndrueshmërisë makro-ekonomike dhe fiskale të vendit.

Qeveria është përgjegjëse për stabilitetin ekonomiko-financiar të vendit dhe, për këtë arsye, ka detyrimin të ndërhyjë në çdo rast kur një gjë e tillë rrezikon të përkeqësohet.

Qëndrueshmëria e Buxhetit të Shtetit është e rëndësishme të garantohet në çdo kohë, por ajo merr një rëndësi të veçantë gjatë periudhave të vështira.

Më tej ai sqaroi se elementi urgjencë është i diktuar nga rrethana faktike. Bazuar në procedurën dhe afatet e parashikuara në rregulloren e brendshme të Kuvendit, për miratimin e një projektligji, rruga normale e ndryshimit të tij do të merrte një kohë të gjatë.

Një garanci që përforcon legjitimitetin kushtetues për nxjerrjen e Aktit normativ me fuqinë e ligjit, është përkohshmëria e tij, i cili vepron për një periudhë maksimalisht 45-ditore. P

ërkohshmëria lidhet me kushtin e domosdoshëm të shqyrtimit të Aktit normativ nga Kuvendi, i cili, nëse e miraton, e kthen atë në ligj.

Ndërsa për Aktin normativ Nr. 10 z.Fino nënvizoi se emergjenca e lindur si pasojë e situatës së pasigurt dhe detyrimi kushtetues për plotësimin e nevojave të shtetasve të shkaktuar nga emergjenca shëndetësore, konsiderohet si shkak për urgjencë.

Shtyrja e detyrimeve tatimore mbështet dhe u vjen në ndihmë tatimpaguesve duke shtyrë në kohë pagimin e detyrimeve që rrjedhin nga tatimi mbi fitimin dhe miratimi i kësaj shtyrjeje të detyrimeve kërkon ndërhyrjen me urgjencë, e cila propozohet të adresohet nëpërmjet këtij Akti normativ.

Në përfundim të diskutimeve, Komisioni miratoi në parim dhe në tërësi të dyja këto Akte normative.

Comment

*