Me maqedonasit për vendin 3, Kombëtarja e Shqiptarëve në stadium të pazakontë

Skuadra maqedonase është prova e dytë e trajnerit Kristian Panuçi në krye të Kombëtares shqiptare pas fitores 2-0 ndaj Lihtenshtajnit në Elbasan tri ditë më parë

Sfida, luhet sonte në mbrëmje, prej orës 20:45 vendore në një stadium të pazakontë.

Në Strumicën e largët, kuqezinjtë do të kërkojnë tri pikët për të konsoliduar pozitat si vend i tretë në grup, ndërsa Maqedonia luan për “hakmarrje” për atë humbje në Loro Boriçi, që thonë se nuk e meritonin.

“Sadiku është i gatshëm, i kam të gjithë futbollistët të gatshëm. Përpara ndeshjes do të shikoni se cili do të jetë formacioni titullar ndaj Maqedonisë. Ne kemi ardhur për ta fituar ndeshjen dhe do të shohim se çfarë do të na rezervojë fati. Nuk firmosim për barazimin, jemi këtu për të marrë maksimumin. Kemi respekt për Maqedoninë, që është një skuadër e mirë, por jemi të vetëdijshëm për potencialin tonë”, tha në konferencën për shtyp të një dite më parë trajneri Panuçi.

Trajneri komentoi edhe elementët e tjerë të lojës, nga fusha, impianti i vogël në Strumicë dhe ylli i kundërshtarëve, Goran Pandev.

“Për sa i takon stadiumit, është një impiant i vogël, por fusha është e mirë. Stadiumet e vegjël fshehin gjithmonë surpriza, por ne do të përqendrohemi vetëm te ajo që do të bëjmë në fushë. Pandev e njoh, është një lojtar shumë cilësor, por nuk do të ketë një mbulim të veçantë”, tha Panucci.

Stadiumi “Mladost” në Strumicë ku do të luhet ndeshja eliminatore e Botërorit Maqedoni-Shqipëri është një impiant i vogël me në kapacitet prej 6500 vendesh. Për një kohë të gjatë ky stadium ka qenë jashtë funksionimit dhe vetëm kohët e fundit Federata Maqedonase ka bërë ndërhyrjet e saj.

Gjithçka është e improvizuar në këtë impiant duke nisur që nga ambientet në hyrje të stadiumit e deri edhe te pankinat ku do të ulet kombëtarja shqiptare me këto ët fundit që ishin marrë me huazim nga stadiumi ”Filipi II”në Shkup, ndërkohë që janë vendosur edhe stola të rinj.

Për të bërë këto ndryshime Federata Maqedonase shpenzoi 300 mijë euro të tjerë në mënyrë që të krijojë kushtet më optimale për të zhvilluar një ndeshje të tillë si ajo me kombëtaren shqiptare për eliminatoret e Botërorit 2018.

Kombëtarja shqiptare përpara kësaj sfide ndodhet ne vendin e tretë në Grupin G të eliminatoreve me 12 pikë të grumbulluara.

/ Top Channel

###

Nga fitorja në Izrael në Qershor e kombëtares kuqezi, në suksesin e radhës, këtë radhë në “Elbasan Arena”.

Tre pikë, dhe vendi i tretë i pacënuar dhe një debutim me pikë të plota për trajnerin e kuqezinjve, Christian Panuccin. Në “Elbasan Arena”, Lihtenshtejni i rreshtuar mirë në fushën e lojës bëri gjithçka për ta penguar Shqipërinë në rrugën drejt fitores, edhe pse nuk arriti, pasi në minutën e 53-të të ndeshjes, kur pas disa sulmeve rresht, Roshi pati fatin për të qenë në vendin dhe momentin e duhur duke e devijuar topin në rrjetë, ndërsa kapiteni Ansi Agolli shtoi një perllë me të djathtën në ndeshjen e tij të 70 me fanellën e Kombëtares.

Një fitore që evidentoi edhe një herë karakterin e fortë të kësaj skuadre që nuk dorëzohet kurrë. Panucci e nisi ndeshjen me një formacion sulmues.

Lllullaku në qëndër të sulmit i mbështetur nga dyshja Roshi-Grezda u vendosën në fazën e avancuar, ndërsa Mamushaj, Basha e Abrashi formuan treshen e mesfushës me katërshen klasike Mavraj, Ajeti, Hysaj e Agolli në mbrojtje përpara Etrit Berishës.

Goli do të vijë vetëm në pjesën e dytë, ku në të 53-tën, goditja e këndit e grushtuar nga portieri kundërshtar përfundoi në këmbët e Bashës që e kalibroi të djathtën drejt portës, ndërsa Roshi me një prekje magjike zhbllokoi ndeshjen.

Një gol me shumë peshë që e ndihmoi Shqipërinë të përshkonte rrugën e saj. Memushaj, një motor i vërtetë mori sërish inisiativën  me një krosim të rrezikshëm, ndërsa Agolli testoi të djathtën me një tentativë të gabuar. Kukeli për Memushajn i dha më shumë muskuj mesfushës por kuqezinjtë nuk e hoqën këmbën nga gazi.

Super Ansi Agolli shënoi ndoshta golin më të bukur të karrierës së tij në të 78-ën. Cepi i majtë i Peter Jehle u gjet saktësisht nga kapiteni në ndeshjen e tij të 70-të me fanellën kuqezi.

Me këtë fitore, kombëtarja ngjitet në kuotën e 12 pikëve në Grupin G dhe përgatit e qetë udhëtimin drejt Strumicës , ku të martën në orën 20:45, kuqezinjtë e Christian Panuccit premtojnë një tjetër 90 minutësh të luftuar, me shumë kurajo dhe guxim.

FSHF

Comment

*