Komisioni Europian: Shqipëria e ka nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon

Bruksel, 23 korrik 2018 – Shqipëria duhet të ulë borxhin publik, pasi niveli i tij cenon ecurinë ekonomike. Pas institucioneve financiare ndërkombëtare, edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit, ku vlerësohet ecuria ekonomike për tre muajt e parë të këtij viti, e cilëson një ndër problemet kryesore nivelin e lartë të borxhit publik për ekonominë shqiptare.

Borxhi publik (përfshirë garancitë) është ende afër nivelit relativisht të lartë prej 70% të GDP-së dhe rënia e tij është e lidhur me normën e interesit dhe me rreziqet e kursit të këmbimit, thuhet në raport.

Aty theksohet se shqetësim përbën fakti që planet e rregullimit fiskal të vendit janë zbutur dhe janë shtyrë, krahasuar me programin e vitit të kaluar, gjë që do ta vonojë arritjen e objektivave afatmesme dhe afatgjata për borxhin publik.

Raporti i Komisionit Evropian tregon se Shqipëria e ka nivelin më të lartë të borxhit publik ndër vendet kandidate për anëtarësim në BE. Aktualisht, Shqipëria e ka nivelin e borxhit publik 68.6%. Serbia dhe Mali i zi e kanë nivelin e borxhit publik në 60% ose 10 pikë më të ulët se Shqipëria.

Shqipëria synon që niveli i borxhit publik të bjerë nën 60% deri në fund të këtij mandati, por ky objektiv është mjaft vështirë të arrihet, duke parë ecurinë e deritashme.

Aktualisht, çdo shqiptar i ka rreth 3 mijë euro borxh, gjë që e rendim Shqipërinë në vendin me nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon. (r.m.)

Comment

*