Komisioni Evropian u kërkon vendeve anëtare të heqin kufizimet kufitare

Bruksel, 5 qershor 2020 – Komisioni Evropian u kërkon shteteve anëtare të heqin kufizimet kufitare deri në fund të këtij muajit dhe të lejojnë udhëtimin e lirë mes vendeve të bllokut. Sipas komisioneres për çështjet e brendshme, Ylva Johansson situata pandemike po përmirësohej me shpejtësi.

“Jemi shumë pranë një situate kur duhet të heqim të gjitha kufizimet e brendshme kufitare. Një afat i mirë do të ishte fundi i muajit”, u shpreh Ylva Johansson.

Komisionerja tha se ishte e lumtur të shihte se disa shtete anëtare i kanë zbutur kontrollet kufitare. Ndërsa sezoni turistik afrohet, vendet rreth Evropës po nxitojnë të heqin kufizimet ndaj lëvizjes së lirë duke hapur dyert për turistët.

Italia e ndërmori hapin e madh në 3 qershor, duke lejuar hyrjen e të gjithë shtetasve nga zona Shengen. Për shumicën e shteteve anëtare, përfshirë Greqinë, Francën, Belgjikën, Gjermaninë dhe Çekinë, data e rihapjes do të jetë 15 qershori.

Megjithatë, situata mbetet e ndërlikuar dhe kufijtë nuk do të hapen për të gjithë. Austria riktheu lëvizjen e lirë për të gjithë fqinjët e saj ditën e enjte, por duke përjashtuar Italinë. Qeveria e Vjenës tha se më vonë mund të lejonte hyrjen e shtetasve italianë nga rajonet me numër të ulët infektimesh.

Greqia, e cila është në listën e 29 vendeve në të cilat do të lejohen udhëtimet nga 15 qershori, nuk përfshin as Italinë e as Spanjën. Portugalia tha se është e hapur për turistët e huaj, por jo për ata që do të vijnë nga Italia.

Hezitim ka edhe për Britaninë e Madhe, e cila e ka numrin më të madh të vdekjeve nga Covid-19. Qeveria e Boris Johnsonit po tregohet e kujdesshme, duke vendosur masën e karantinimit 14-ditor për të gjithë shtetasit që vijnë nga jashtë. Gjermania do të lejojë lëvizjen pa kushte nga 15 qershori, por duke lënë në fuqi rekomandimet për të mos udhëtuar në vende të prekura, si Britania e Madhe. Spanja po mendon të hapë kufijtë për vende me nivel të ulët infektimi, nga 22 qershori, një ditë pasi përfundon gjendja e emergjencës.

(A2news.com)

Comment

*