Komisioni Evropian: Zgjidhja duhet të jetë realiste dhe e mundshme

Bruksel, 10 gusht 2018 – Komisioni Evropian thotë se zgjidhja e mosmarrwveshjeve mes Kosovws dhe Serbisw duhet të jetë “realiste dhe e mundshme”.

“Një zgjidhje e përhershme nënkupton një zgjidhje realiste, të qëndrueshme dhe të mundshme, në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare, e për të cilën duhet të kenë pajtueshmëri Prishtina dhe Beogradi”, ka deklaruar sot në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Carlos Martin.

I pyetur nëse Komisioni Evropian e mbështet qëndrimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ndarje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, ai ka thënë se gjatë takimit të nivelit të lartë, presidentët Aleksandar Vuçiq e Hashim Thaçi, kanë zhvilluar “bisedime intenzive dhe produktive mbi kornizën e marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe se janë pajtuar për intensifikimin e punëve”.

Martin ka thënë se më 18 korrik, dy presidentët janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet në muajin shtator.

“Vuçiq dhe Thaçi kanë shqyrtuar përparimin e arritur dhe janë pajtuar të takohen sërish në fillim të shtatorit”, ka thënë ai.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për synim ka nxitjen e arritjes së një bashkëpunimi të përhershëm mes të dyja palëve dhe t’ju ndihmojë atyre të arrijnë përparim në rrugën e tyre drejt Evropës”, ka thënë Martin. (r.m.)

Comment

*