Komisioni për Sigurinë Kombëtare miraton ndryshime në Kodin Ajror

Komisioni për Sigurinë Kombëtare diskutoi në parim projektligjin “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”.

Për të dhënë shpjegime rreth projektligjit, në komision, i ftuar ishte z.Artan Shkreli, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Z.Shkreli, në përmbledhjen e tij sqaruese, u fokusua në sigurinë e Kodit Ajror dhe mes të tjerash, theksoi se: “Neni 115 përcakton standardet dhe rregullat bazë të sigurisë së aviacionit civil. Pika 1 duke iu referuar standardeve bazë për mbrojtjen e aviacionit civil ndaj akteve të ndërhyrjes së paligjshme që rrezikojnë sigurinë e aviacionit civil, përcakton se miratimi i tyre do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Pika 2 përcakton se masat e përgjithshme që amendojnë standardet bazë, masat e detajuara dhe ato të lejuara alternative do të miratohen nga ministri. Në këtë mënyrë plotësohet kuadri ligjor kombëtar, sigurohet koherenca dhe ruhet në implementim hierarkia e normës juridike ndërkombëtare, duke evituar dublimet apo mbivendosjet e gabuara”.

Për komisionin, projektligjin e relatoi z. Sadi Vorpsi. Z. Vorpsi, në fjalën e tij, shprehu dakortësinë dhe paraqiti përparësitë e këtij projektligji, pasi sipas tij, në të, parashikohen dispozita që përmbushin një pjesë të detyrimeve të Marrëveshjes për Krijimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit Civil.

“Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i veprimtarisë së avionëve civilë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, të avionëve për të cilët Republika e Shqipërisë merr përgjegjësi sipas dispozitave të këtij

Kodi në përputhje me nenin 83 bis të Konventës së Çikagos, dhe të avionëve të regjistruar në një shtet tjetër, por që operojnë me licencën e operimit të lëshuar nga autoriteti kompetent licencues i Republikës së Shqipërisë” përfundoi z. Vorpsi

Komisioni miratoi në parim dhe kaloi në miratimin e një pjese të neneve të tij.

Shqyrtimi i neneve të projektligjit në fjalë do të vijojë në mbledhjet e radhës.

Comment

*