Kompania “ARMO” ndërron pronar, Taçi ikën, vijnë azerët

Kompania e përpunimit të naftës, “ARMO”, e privatizuar pak vite më parë ka ndërruar pronar. Tashmë “ARMO” ka një kompani të re si pronare dhe një administrator të ri. Në të dhënat e publikuara në QKR për kompaninë “ARMO” rezulton se veprimet e fundit janë kryer më datë 8 gusht, prej ku është larguar administratori Rezart Taçi dhe në vend të tij është caktuar Fation Veizaj. Kjo konfirmohet nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit të biznesit

 

Aristir Lumezi

Kishte ditë që përflitej lajmi se kompania me pronar shqiptar “Armo” po i kalonte një pronari tjetër. Bashkë me ndërrimin e pronarit, janë larguar dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës Gramoz Taçi, Drita Aliçka, Selfo Kapllani dhe Mustafa Taçi, të cilët janë zëvendësuar nga Ibrahim Hastopalli, Laurence Stroch, Abe Halati dhe avokatja e njohur Erinda Ballanca.
Kompania “ARMO” që në momentin e privatizimit, pesë vjet më parë, është vënë në pronësi të kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”, e cila zotëron 85 për qind të aksioneve të rafinerisë, ndërsa shteti shqiptar pjesën e mbetur.
“Anika Mercuria Refinery Associated Oil” zotërohej nga kompania “Anika Enterprises”, që zotërohej nga familja e biznesmenit Rezart Taçi. Por me ndryshimet e ditëve dhe orëve të fundit, e vetmja pjesë pronësie që nuk ka ndryshuar është ajo e shtetit shqiptar, që përmes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës vazhdon të mbajë 15 për qind të aksioneve.
Ndërsa 85% të aksioneve sërish i mbeten kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”. Por tek kjo kompani, referuar veprimeve të kryera në QKR, janë kryer ndryshime të pronësisë më datë 8 gusht.
Më konkretisht, 80% të aksioneve që ishin në pronësi të “Anika Enterprises” tashmë kanë kaluar në pronësi të kompanisë “Heaney Assets Corporation”, çka e bën këtë kompani pronare jo vetëm të “Anika Enterprises”, por edhe të “Anika Mercuria Refinery Associated Oil” dhe për rrjedhojë edhe të rafinerisë “ARMO”.
Gjithashtu, po më datë 8 gusht, është larguar administratorja e kësaj kompanie Anika Taçi dhe në vend të saj është emëruar sërish Fation Veizaj.
Edhe në këtë kompani rezulton që të jetë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës avokatja Erinda Ballanca, e cila një vit më parë ka përfaqësuar Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit në padinë që kjo e fundit kishte bërë kundër Rezart Taçit. Banka azere kërkoi kthimin e shumës prej 75 milionë eurosh nga Rezart Taçi, shumë kjo e vendosur si garanci për blerjen e “ARMO”.
Përfshirja e avokates Erinda Ballanca, e cila ka mbrojtur interesat e azerëve, si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës, si tek kompania “ARMO” ashtu dhe tek “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”, është për momentin e vetmja indicie që përforcon zërat e përhapur në media se “ARMO” tashmë është në pronësi të një kompanie azerbajxhanase.
Nëse është kështu, duhet parë nëse “ARMO” është shitur dhe cili është çmimi i shitjes së kompanisë, apo është falur si peng për moskthimin e parave azerëve nga biznesmeni Rezart Taçi.
Muajin e fundit, kompania Armo ka pasur probleme me shtetin shqiptar, kur grupe tatimorësh bllokuan tregtimin e karburantit që dilnin nga rafineritë duke paralizuar aktivitetin e kompanisë. Punonjësit e kompanisë u hodhën në protesta duke kërkuar rifillimin e punës. Ndërsa drejtues të kompanisë, u shprehën në mënyrë të përsëritur se ky bllokim bëhej si presion që pronarët e kompanisë “Armo” të shesin aksionet e tyre dhe të heqin dorë nga pronësia e tyre mbi kompaninë.

Comment

*