Kompania kanadeze e minierave shpreh interesim për zinkun në Kosovë

Prishtinë, 23 prill 2018 – Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, priti sot një delegacion të kompanisë “Trevali” nga Kanadaja, e cila është e fokusuar në sektorin e minierave, në veçanti në atë të zinkut.

Në një komunikatë për media të kësaj kompanie thuhet se president dhe CEO i kompanisë, Mark Cruise, ka treguar për operacionet aktuale të kompanisë në Kanada dhe në Afrikë dhe ka shprehur interesim për investime në sektorin e minierave të Kosovës.

“Nga prezantimet të cilat i pamë në Konventën e PDAC në Toronto, ku ju ishit prezentë, u interesuam për këtë sektor në Kosovë. Ne, si prodhuesi i tetë më i madh i zinkut në botë, jemi specializuar për minierat e vjetra, të cilat i kemi revitalizuar dhe i kemi bërë të levërdishme. Nga kjo, buxheti ynë i përgjithshëm e tejkalon shifrën e 1 miliard dollarësh”, ka thënë Cruise.

Ministri Gashi e ka informur delegacionin nga Kanadaja për ndryshimet që pritet të bëhen në Ligjin për Investime Strategjike në sektorin e minierave, i cili pritet të jetë edhe më i mirë për kompanitë e mëdha që vijnë në Kosovë me projekte serioze.

“Ne jemi duke e përmirësuar legjislacionin. Tani në sektorin e minierave do të kemi atë që quhet ‘one stop shop’, ndërsa për kompanitë të cilat kualifikohen si investitorë strategjikë, me ndryshimet e ligjit, do t;i heqim edhe disa barriera shtesë për ta bërë procesin akoma më të lehtë dhe më të favorshëm”, ka thënë Gashi.

Delegacioni, i cili po shoqërohet edhe nga zyrtarë të qeverisë kanadeze, do të vizitojë minierat në Kishnicë, në Hajvali dhe në Artanë, për t’u njoftuar nga afër me mundësitë për investime afatgjata me vlerë qindra milionëshe. (r.m.)

Comment

*