Kompanitë prodhuese kërkojnë implementim e Pakos Fiskale 2.0

Prishtinë, 28 shtator 2017 – Irfan Fusha, pronar i kompanisë “ABI” nga Prizreni, thotë se hyrja në fuqi e Pakos Fiskale 2 është e domosdoshme për t’i dhënë një shtytje prodhimit vendor.

“Ne kemi pritur që më herët të realizohet Pakoja Fiskale 2, por pasi që edhe qeveria është formuar ne shpresojmë që do të bëhet së shpejti edhe do të fillojë implementimi i saj, gjë që neve do të na japë një shtytje që të punojmë më shumë me prodhimet vendore”, ka thënë Fusha, transmeton Ekonomia Online.

Fusha ka parashtruar si problem të madh pengesën që po u bëhet produkteve me prejardhje shtazore, duke e bërë të pamundur që këto prodhime të eksportohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ai ka shfaqur shpresën se Qeveria do ta zgjidhë së shpejti këtë problem të madh të fermerëve kosovarë.

“Kemi shumë kërkesa për Bashkimin Evropian, për produktet e djathërave apo për djathin e Sharrit, që është produkt tradicional. Për momentin, qeveria jonë nuk e ka zgjedhur problemin dhe ne të bëjmë eksport jashtë shtetit tonë, por shpresojmë që së shpejti edhe kjo do të realizohet’’, ka thënë Fusha.

“Produktet e bulmetit dhe produktet e mishrave nuk eksportohen jashtë Kosovës diçka që duhet të bëhet nga ana e qeverisë, me kërkesë drejt Bashkimit Evropian që të na lejojnë eksportin drejt BE-së”, ka shpjeguar ai.

Fusha ka thënë se kompania e tij bën edhe grumbullimin e pemëve dhe perimeve, kështuqë i ndihmon edhe fermerët të sigurojnë treg.

“Ne e bëjmë edhe grumbullimin e pemëve dhe perimeve nga prodhuesit tjerë. Këtë vit ka qenë kualiteti shumë i lartë  dhe kjo është një mënyrë që edhe fermerin ta ndihmojmë”, është shprehur ai.

Kompania “ABI” merr pjesë rregullisht në Panairin Ndërkombëtar të Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2017”.

Fusha ka thënë se panairet i ndihmojnë prodhuesit që të bien në kontakt me kompani të huaja dhe prodhimet e tyre t’i eksportojnë jashtë vendit.

“Panairet na kanë ndihmuar shumë, sepse përmes panaireve ne kemi arritur edhe të eksportojmë në shtetet e Bashkimit Evropian. Ne eksportojmë në Maqedoni, në Itali, në Zvicër, në Suedi dhe në Gjermani”, ka thënë ai. (r.m.)

Comment

*