Komuniteti shqiptaro-amerikan feston, në New York, 10 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Keze Kozeta Zylo

Qindra shqiptaro amerikane u mblodhën së bashku në muzgun me një cipë të bardhe bore, më 17 shkurt në restorantin Marina del Rey për të festuar 10 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Dukej sikur dhe natyra kishte veshur ngjyrat blu dhe supeve kishte hedhur një vello të lehtë bore me pak rrezatim të verdhë nga dritat si ngjyrat e Flamurit të shtetit të Kosovës, shtetit më të ri në botë. Ja ikin vitet dhe shteti i Kosovës u rrit u bë 10 vjeç…, ndonëse ka një rrugë të gjatë, të vështirë përpara, por asnjëherë të pakalueshme nëse do të ketë lider dhe nxënës të zellshëm që të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur…
Për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosoves u vranë 13.000 njerëz, 1400 fëmijë, 20000 vajza dhe gra u përdhunuan, 700000 njerëz u nxorën nga shtëpitë e tyre, 10000 shtëpi u shkatërruan dhe 1200 akoma mungojnë.
Mbrëmja u moderua nga zonjusha Drilona Bajrami dhe z.Dardan Gjonbalaj. Pjesëmarrësit të gjithë u çuan në këmbë kur në sallë marshuan me flamujt e Kosovës dhe të Amerikës oficerët e policisë së New Yorkut drejt skenës kryesore të cilët janë të organizuar në shoqatën “Illyria”. Hyrja e tyre me uniformën e policisë amerikane dhe me ngritjen e Flamurit të shtetit të Kosovës ishte një moment solemn për të gjithë bashkëkombasit dhe amerikanët që ishin në sallë.
Dy hymnet amerikane dhe shqiptare janë interpretuar nga Jesicca Raja.
Fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes e mbajti z.Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut. Fjala e tij u ndërpre disa herë nga duartrokitjet, tashmë z.Gjonaj është një politikan karizmatik, popullor i zgjedhur direkt nga vota e zgjedhësve të tij në Bronx, New York. Ai i uroi gjithe pjesëmarrësit për Pavarësinë e Kosovës.
Në fjalën e tij midis të tjerash paraqiti disa projekte ambicioze dhe që së shpejti do të bëhen realitet si: përfshirja e mësimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë në shkollat amerikane duke filluar me PS:105 në Bronx nga parashkollorët këtë shtator.
Po ashtu do të dhurohen $500.000 për sheshin Mother Teresa në Pelham Parkway, një nga vendet më të populluara të komunitetit shqiptar në Bronx.
Në fund falënderoi të gjithë stafin organizues të cilët punuan vullnetarisht për të realizuar aktivitetin kushtuar 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Të pranishmit i përshëndeti dhe presidenti i Bronxit Ruben Diaz Jr, ansambleisti i shetit të Nju Jorkut i cili u zgjodh qysh në moshën 23 vjeç, çka e bën politikanin më të ri në organin legjislativ që nga Theodore Roosevelt.
Ambasadorja Teuta Sahatqija, Konsulle e Pergjithshme e Kosovës në New York, vlerësoi lart rolin e diasporës: “…vepronte fuqishëm si krah i forte në mbajtjen gjallë të institucioneve, shkollës dhe shëndetsisë së Kosovës. Përmes protestave para UN, në cdo vend e shtet e qytet bënte të ditur gjendjen alarmante të shkeljes së të drejtave elementare njerëzore, të gjenocidit që po merrte krah në Kosovë.
Senatorët e Kongresistët, mediat e personalitetet e ndryshme të cilët më parë nuk e dinin se kah i bie Kosova, me punën e palodhshme të diasporës, u bënë zëdhënës të Kosovës, të së drejtës, dhe vepruan kundër terrorit.
Kur kjo rezistencë paqësore nuk mundi të ndalë aparatin criminal, UÇK me Adem Jasharin i mblodhi djemtë e vajzat më të mira dhe i doli krah Kosovës që vuante.
Batalioni Atlantiku në Amerikë i mblodhi të rinjtë të cilët nuk ishin në Kosovë, i kishin punët mire në SHBA dhe çkado që ndodhte ne Kosovë, nuk i prekte drejtpërdrejtë. Por mbrojtja e vendlidjes, ngritja për një çështje të drejtë nuk i la indiferent. Ata duke u përshëndetur me familjarë e lane SHBA në dhe u nisën për Kosovë për të mos u kthyer.
Kur afrohet cdo pervjetor, me shokët e batalionit “Atlanktiku” i perkulemi varreve të Mehmetit, Agronit e Yllit që personifikojnë luftën, sakrificën, detyrën kombëtare, krenarinë mbi të cilat është ndërtuar ky shtet i ri.
Me respekt të lartë dhe perulje të thellë e kujtojmë sakrificën e vëllezërve Bytyqi dhe gjithë atyre që dhanë jetën për lirine e Kosovës.
Populli i Kosovës dhe shqiptarët kudo që janë do të jenë falënderues përjetësisht”.
Kryetari i organizatës Panshqiptare “Vatra” z.Dritan Mishto ish Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York midis të tjerash tha se është e vetmja diasporë në rruzullin tokësor që fëmijët e tyre u lindën dhe u rritën në Amerikë dhe morën armët në dorë nën drejtimin e Batalionit “Atlantiku” dhe luftuan për Kosovën. Z.Mishto tha se ndihem i nderuar që në emër të Vatrës, shoqatës më të vjetër të kem nderin dhe të sjell pranë jush një vajzë shqiptare kapitenen e ushtrisë amerikane zonjushen Yllka Cana.
Fjalën kryesore në këtë aktivitet e mbajti zonjusha Yllka Cana, kapitene në ushtrinë amerikane. Yllka tregoi per historinë e saj, që është natyrisht një histori suksesi. Kapitene Cana i ka ngjitur shpejt shkallët e karrierës në hierarkinë amerikane. Ajo erdhi në Amerikë nga Kosova si refugjate së bashku me familjen e saj.
Janë nderuar me çmime pas vdekjes atdhetarët dhe patriotët e nderuar si Tahir Kërnaja, Ali Lajqi dhe Ibadete Thaqi.
Kanë përshëndetur nëpërmjet ekranit Presidenti Bill Clinton, Gjenerali Wesley Clark dhe ambasadorja në Kombet e Bashkuara Nick Haley, të cilët u mirëpritën nxehtësisht me duartrokitje.
Pjesëmarrësit u argëtuan me Ansamblin “Rugova” dhe vallëzuan nën tingujt e muzikës “Grupi “4 Yjet”, me këngëtaren Shqipe Kastrati dhe NADI.
17 Shkurt, 2018
Bronx, New York

    

Comment

*