Kondomizimi i kujtesës

PhD. Julian Bejko, Universiteti i Tiranës
[email protected]

memoryposterËshtë hera e parë që s’kam asnjë dëshirë të shkruaj për diçka që nuk hyn në kalibrin e njerëzorshmes. E megjithatë për shkak të një ‘debati’ televiziv në emisionin “Opinion“, e kam për detyrë t’i përgjigjem kërkesave të qytetarëve që më shkruajnë prej ditë-natës së verës, që më përshëndesin rrugëve për mbështetjen e kinemasë e që reklamojnë praninë time më të shpeshtë publike – e pabesueshme por një taksist sot nuk më mori para për udhëtimin.

Me thënë të drejtën nuk jam mësuar me regjimin e ri traumatik dhe as dua të më përqafojnë apo puthin, jo në faqe të paktën. Besoj që njeriu i punës jeton në hijet e qytetit, aty pas bedenave të tij kundron jetën dhe shkruan, kjo qetësi mendore që u shkatërrua shkurtimisht me një dalje ke Opinioni. Për fatin e mirë ky qytet harron shpejt dhe ashtu befas do të rikthehem në anonimatin tim të lirisë.

Ka pothuajse gjashtë vite që merrem me studimin e kinemasë dhe shoqërisë shqiptare, me dy vëllime të botuara deri tani (“Shoqëria e Kinemasë I, II“). Kam shkruar artikuj shkencorë në frengjisht, italisht e anglisht ku dhe kam marrë pjesë nëpër konferenca ndërkombëtare, jo nga ato që zhvillojnë fakultetet tona të nakatosura. Jam ftuar për të dhënë cikle leksionesh dhe seminaresh në Kosovë, Francë, Itali, Spanjë, biles edhe Tajvan. Kam shpenzuar sa e sa rroga prej pedagogu kooperativist dhe qindra orë punë stakanoviste për t’i dhënë jehonën e duhur të shkuarës së popullit dhe hallit tim, ndonjëherë edhe më është prerë rroga ditore si me të qeshur. Kam krijuar të parin dhe ende fatkeqësisht të vetmin kurs serioz universitar në Shqipëri mbi analizën dhe kritikën e imazhit. Jam njohur me specialistë të huaj të këtyre fushave që janë angazhuar në ruajtjen dhe shpëtimin e arkiva të filmit shqiptar, me studiues të huaj gjithashtu që po shfaqin interes në rritje për kinemanë duke çmuar punën e sineastëve shqiptarë të asaj e kësaj kohe. Gjithashtu, kam patur fatin komik të përballem edhe me ndonjë të ashtuquajtur koleg që e ka cilësuar punën time të papranueshme për opinionin publik shqiptar, për shkak të titullit pornografik e të degjeneruar të filmit dokumentar “Krevati i Perandorit“ (Endri Keko, 1973).

Sidoqoftë, asgjë s’më bën përshtypje dhe nuk e prish hiç terezinë. Nuk pres fletë lavdërimi, as ndonjë llokmë politike dhe natyrisht nuk skandalizohem nga gjendja tragji-komike e parodisë së diskutimit në fjalë dhe as nga qëllimet e një fryme dashakeqe. Nuk kam çfarë të sqaroj apo argumentoj më tepër sepse kjo gjë është realizuar prej kohësh me studimet e mia; s’kam faj që njerëzisë pangopësisht e papërmbushur, i pëlqen kaq shumë oraliteti. Për parantezë, imagjinoj sa lugë përshesh kanë ngrënë me z(b)or shqiptarët kur kanë qenë fëmijë, sindromë që të bën për të vjellë dokrra marrëzie në formën e tyre më banale, atë të të shijuarit të mendimit të papjekur si dështim i parakohshëm.

Në fakt do kisha shumë dëshirë ta publikoja të plotë pjesën e njërës prej analizave në vëllimin e tretë të ‘Kinemasë’ që mbase e pjell këtë vit, por do merrte shumë kohë dhe do zhvishte paraprakisht krijesën. Ndaj po i bie shkurt, drejt e thellë, aty ku shpirtit i dhemb vërtetë.

“Eksperimenti im do të bëhet mbi kujtesën e njeriut. Atë që shumë shkencëtarë në botë kanë frikë ta përmendin. Si t’ua shpjegoj… se këtu nuk kam marrë as vizatimet anatomike të trurit. Ja, të supozojmë për një moment se kufijtë e shteteve, malet, lumenjtë, rrugët, qytetet, janë korja e trurit. Unë dua që të funksionojnë ato pjesë që na interesojnë ne, kurse pjesa tjetër, të fshihet!  Kujtesa është baza e veprimtarisë njerëzore. Po të flasim në gjuhë të figurshme, nga tre kohët e foljes, duhet të mbajmë vetëm një, të tashmen. Kurse të kaluarën apo të ardhmen ta fshijmë ose ta frenojmë.  Që të mbash të nënshtruar një komb duhet ta asgjësosh. Romakët për të mbajtur të pushtuar Kartagjenën, e rrënuan. Që të mbash të nënshtruar njeriun, duhet t’i asgjësosh kujtesën. Dhe këtë… do ta bëjmë pa ndërhyrje kirurgjikale!”

Asgjë tjetër nuk përshkruan më mirë realitetin tonë epidemik, sesa ky pasazh i sipërcituar dhe as s’kam ç’të shtoj më tej. Aty nga viti 1987, zëri i ngrohtë dhe i veçantë i aktorit Stavri Shkurti – i lumtur qoftë ndër qiej! – do t’i jepte kinemasë shqiptare një nga figurat më të urryera të modernitetit, atë të një mjeku nazist i cili eksperimenton teknika të reja çnjerëzore sipas shprehjes latine ‘faciamus experimentum in corpore vili’. Në shqip do të ishte pak a shumë ‘Le të sprovojmë mbi një trup të zakonshëm’ – në kuptimin e një njeriu/kufomë të rëndomtë dhe pa vlerë. Brenda një doktrine sa të çmendur dhe qesharake si ajo naziste, shteti i një psikopati ishte organi që themelonte dhe përcaktonte klasat dhe kategoritë e racave nga më e larta deri tek ajo më ‘vile’. Ai përcaktonte gjithashtu se kush jeton e kush asgjësohet, madje ngriti në këmbë një industri HD të shfarrosjes në masë siç ishte ngjarja rrënqethëse e Shoah-s. Prej këtej, mund ta themi hapur, roli i ‘mjekut’ nazist në filmin emblematik “Rrethi i Kujtesës“ (Esat Musliu, 1987, bazuar në romanin e Diana Çulit) është një lupë zmadhimi për të diagnostikuar makabritetin nazist, atë komunist shqiptar dhe njëherazi budallepsjen tonë, që është edhe thelbi i këtij shkrimi.

Ka kohë që mes nesh qarkullojnë fronte të ndryshme dhe masa të ftohta kontinentale, synimi i të cilave është ngrirja, ose më saktë ruajtja e ngricave mbi kujtesën e telendisur kolektive. De facto ajo prish shumë punë sepse ruan vijueshmërinë e disa kritereve për të matur empirikisht dhe emocionalisht ndryshimin shoqëror, për të krahasuar të sotmen me të djeshmen, nipërit me gjyshërit, elitat e reja me të vjetrat. E thënë më filozofikisht me Heraklitin, është pyetja: çfarë mbetet gjatë procesit të ndryshimit? Gjeniali i antikitetit para-sokratik përgjigjej se është vetë Ndryshimi. Kështu, edhe këto ngrica përpiqen të pengojnë ndryshimin dhe jetën shoqërore, duke sajuar diçka që edhe qytetari më i përulur i kësaj ‘rex-publica vili’ majtas apo djathtas, e ka fare të lehtë për ta kuptuar.

Por tashmë jemi në një plan tjetër strategjk. Na kanë rrethuar mjekët e moralit anestezist, diktojnë të na ngrijnë kujtesën, ose, meqë një sy është i korruptuar në atë regjim, përse të mos e shkulim me këtë regjim?! Me një sy, por moralisht të ndershëm! “Dhe këtë…do ta bëjmë pa ndërhyrje kirurgjikale!” Në film, ekipi i mjekësisë naziste kërkon të fshijë kujtesën me mjete eksperimentale për të lënë “në jetë“ frymorin ‘mutilatio’ në lëngatë i cili nuk duhet të kujtohet kurrë më për identitetin e tij dhe as të Flasë rreth përvojës së një drame kolektive. Kujtesa shqitet nga trupi politik i njeriut për t’u likujduar tej në laboratorët e politikave tekniko-mediatike.

Rrethi_i_kujtesësTe filmi “Rrethi i Kujtesës”, personazhi i Margaritës (Marjeta Ljarja), një grua amneziake, viktimë e eksperimenteve naziste, kthehet në Shqipërinë socialiste pas dy dekadash jashtë shtetit. Publiku shqiptar aso kohe por ndoshta edhe sot e konsideron si një film horror këtë përfaqësim të perversitetit nazist mbi kujtesën njerëzore; një film që ngjan me një klasik të kinemasë, “Clockwork Orange” të Stanley Kubrick, 1970. Pas sprovave naziste, tashmë një ekip mjekësh psikiatër shfaqen për here të pare në kinemanë shqiptare teksa përpiqen të rindërtojë kujdesën e dëmtuar.

Para nesh janë dy prodecura të ndryshme biopolitike, ai nazist bazuar mbi vdekjen dhe harresën dhe ai socialist bazuar mbi rindërtimin e kujtesës. Ekipi shqiptar shtyn gruan e traumatizuar të ripërjetojë vuajtjet e saj për të shpëtuar nga krizat me gjithë rezistencën e saj psikike për të mos rikujtuar të shkuarën. Përtej kurimit, një ndër mjekët shqiptarë përpiqet të krijojë një raport besimi njerëzor me pacienten. Kësisoj ne kuptojmë se shqetësimet e saj janë më pak të lidhura me kujtesën e deformuar apo me traumën psikike dhe më tepër me paaftësinë e saj për të folur rreth përvojës së shkuar. Kjo mund të shihet si një mundësi për të kuptuar heshtjen e madhe të imponuar mbi viktimat dhe krimet e kryera përgjatë regjimit komunist, një humbnerë heshtjeje që vazhdon ende sot në këto dy dekada tranzicion politik.

Vuajtjet e shqiptarëve gjatë komunizmit shpesh përdoren nga parti të ndryshme politike si një çeçik kundrejt njëri-tjetrit, duke u shkujdesur për nevojën e një studimi të detajuar mbi shkaqet dhe veprimet e politikave të atij regjimi. Duke analizuar përvojat e shkuara, vjen krejt i nevojshëm ekzaminimi i procesit që mutiloi lëndën origjinale të kujtesës kolektive. Ribërja e kujtesës është një asgjësim gradual, një vorbull brenda një rrethi kujtese. Shqipëria sot vuan më tepër nga një formë e sofistikuar amnezie, ligjërimi i së cilës është fragmentarizuar në një narrativë të thjeshtë që i shkon për shtat axhendave politike të të dy krahëve politikë. Në shumë mënyra, shqiptarët kërkojnë të sqarojnë dramën gjysmë shekullore të diktaturës dhe kinemasë e saj, pasqyrë e një lufte që shfaq gruan amneziake të filmit “Rrethi i Kujtesës”. Vetëm një mendim plot nuance mund të lexojë format e ndryshme të përfaqësimit komunist, kundrejt një pranimi të thjeshtë si mjet propaganda. Prej këtej mund të kuptojmë kompleksin dhe frakturën e Shqipërisë së formuar gjatë trazicionit.

Propozimi për të ndaluar shfaqjen publike të filmave, apo përzgjedhjen e tyre nga një komision a institut NGO “pa ndërhyrje kirurgjikale”, është krejt absurd në emër të moralit anti-komunist. Ky ekip doktorësh të shëndetit public operon jo me konceptin nazist të fshirjes së kujtesës me elektroshok (ne e kemi kryer tashmë terapinë e Shock-ut), por me atë të prezervativit apo, në një gjuhë më popullore, kllufit. Këta simpatizantë të censurës së re nuk janë aq specialistë të liq, në fakt s’janë specialistë të ndonjë gjëje ndaj dhe tejet të rrezikshëm në sipërmarrjen ‘e tyre’; këta pretendojnë të jenë zëvendësuesit e ligjshëm të Zotit “vakant“ të cilin e kemi mohuar e pohuar ca herë por shyqyr atij nuk i ngel hatri. Ndër ta qarkullojnë rryma nga më çoroditëset dhe ekstremistet nën petkun e moralit të shëndoshë, atë të profilaktikut. Ngremë një komision shtetëror censure (retushim!), bëjmë një tender, porosisim ca kllufë jashtë shtetit, me përmasa të vogla kuptohet se mileti ynë ka pak kujtesë. Pasi i derdhim kujtesën, i bëjmë një nyje marinarçe, e shoqërojmë me një etiketë dhe ushqejmë insektet, popullatën e vetme të arkivave shtetërorë.

Nentori-i-dyte

Prezervativi, kondomi a kllufi, quaje si të duash, ka dhe një avantazh tjetër – nëpër etiketa ushqimore shkruhet se ky produkt bio është pa konservues… Ai është moralisht i shëndetshëm në funksion dhe teknikisht i parrezikshëm në propagandë. Ky është vetëm hapi i ndërmjetëm i profilaktikut: nuk lejon shkëmbimin e informacionit mes dy sekseve dhe brezave, ndërpret vijimin e njeriut dhe jetës, moralizon disa praktika paraprakisht të deklaruara si të turpshme, mundëson frekuentimin e një trupi me shumë kujtesa pa u infektuar dhe pa përcjellë infeksionin, d.m.th. pa krijuar kornizat e nevojshme për një kujtesë kolektive dhe individuale, pa lejuar pafundësinë e raporteve mes kornizave shoqërore. Katalogimi i epidemisë së Kinostudios nëpër këllëfë prej karantine bëhet si përherë në emër të moralit ‘kathartik’ të një fryme reaksionare dhe asgjësuese, të gjoja ruajtjes së brezave (shih filmin “Kapedani“). Synimi i radhës është që mjekët edukatorë të trajtimit të komunizmit, të jenë të vetmit etiketa, manualë përdorimi dhe organe censure të mbetura në fakt prej kohës së diktaturës. Por e kanë diçka të mirë këta njerëz, shterpësinë. Ne apo të tjerë më vonë në ditën e madhe të shëndetit të vërtetë do i trajtojmë siç janë kur të analizojmë regjimet e mjekësisë asgjësuese të popullit shqiptar përgjatë historisë.

Kjo praktikë nënshtruese, së paku dhe për momentin si ligjërim, është një procedurë tërësisht qesharake dhe diktatoriale që fsheh trupin e lënduar shoqëror në prirjen për të paraqitur tanimë, një botë fantastike të çliruar nga vargonjtë e komunizmit. Po e mbyll këtu, duke cituar mendimin e Sociologut polako-hebre Zygmunt Bauman:

“Viktimat e Stalinit apo Hitlerit nuk u vranë meqë këta donin të merrnin dhe kolonizonin territorin ku jetonin viktimat. Shpesh ato u vranë në mënyrë mekanike dhe rutinore pa mundur që ndonjë emocion njerëzor – përfshi këtu edhe urrejtjen – të shpalosej. Ato u vranë sepse nuk i përkisnin, për një arsye apo një tjetër, skemës së shoqërisë perfekte. Eliminimi i tyre nuk ishte vepër e një shkatërrimi por krijimi. Ato u eliminuan me qëllimin që një botë objektivisht më e mirë – më efikase, më morale, më e bukur – të arrihej, një botë komuniste, apo një botë ariane e racës së pastër. – “Modernité et Holocauste“, La Fabrique, 2002, fq. 158.

 

One Response to “Kondomizimi i kujtesës”

Read below or add a comment...

  1. Thanas L. Gjika says:

    Mendimi për të ndaluar shfaqjen e filmave të krijuar gjatë periudhës së diktaturës së komunizmit, më duket i nxituar. Eshtë e vërtetë se shfaqja e tyre ashtu si është bërë deri sot, ka ndihmuar për mbajtjen gjallë tek shumë persona të nostalgjisë për atë kohë. Shumica e atyre filmave e kanë pasqyruar realitetin e kohës në përputhje me normat e realizmit socialist, pra sipas kërkesave të partisë shtet për ta zbukuruar realitetin. Kjo është ana e dëmshme e tyre.
    Gjatë këtyre viteve të tranzicionit, partitë politike, sidomos drejtimet e tyre, ishin të mbushura me ish anëtarë të PPSH-së dhe elementë të ish Sigurimit, prandaj ato edhe kur ishin në pozitë edhe kur ishin në opozitë nuk ishin të interesuara të organizonin analiza kritike shkencore për gjithë trashëgiminë letrare artistike e shkencore të periudhës 47-vjeçare të diktaturëstë. Nuk u ushqye mendimi kritik shkencor, por urrejtja e grupazheve dhe partive e simpatizantëve të tyre.
    Nga ana tjetër shumica e krijuesve të asaj kohe nuk përqafuan një qëndrim qytetar të moralshëm sipas të cilit do të kishin dalë publikisht në shtyp e në TV me autokritika serioze për të treguar se e dënonin këtë e atë aspekt të veprës së vet të krijuar nën presionin e partisë shtet.
    Veprat artistike populli i gjykon jo thjesht për përmbajtjen ideore por edhe për realizimin artistik. Ajo vepër që e tërheq nga përmbajtja ideore dhe artistike, populli dëshiron ta shohë ose ta dëgjojë përsëri (film ose këngë), kurse veprat artistike që nuk e tërheqin për përmbajtjen ideore dhe artistike ai nuk ka dëshirë t’i shohë a t’i lexojë sërisht. Mirëpo ka dhe vepra artistike që ndonëse nuk e kanë përmbajtjen ideore të pëlqyeshme, përsëri ato mund të pëlqehen në rast se e kanë realizimin artistik në nivel të lartë. Kështu ka ndodhur dhe ndodh me veprat e artit fetar. Ikonat e piktorëve Onufri, Shpataraku, Katro, Zografi, Kodheli, etj u pëlqejnë sot jo vetëm besimtarëve që admirojnë në to përmbajtjen fetare dhe artin, por edhe ateistëve, madje dhe besimtarëve myslimanë, sepse në to ata pëlqejnë realizimin e kombinimit të ngjyrave. Po kështu sot vijojnë të na pëlqejnë veprat dramatike te Korneit, Rasinit, Molierit, etj krijues të periudhës së Klasicizmit. Këto vepra për nga përmbajtja ideore dhe për nga rregullat e hartimit nuk na tërheqin, por ne i lexojmë me kënaqësi, për faktin se në to janë realizuar me mjeshëri artistike karaktere atdhetarësh, për të cilët ka nevojë çdo shoqëri njerëzore.
    Rruga më e mirë mendoj është që të organizohen simpoziume shkencore për të analizuar vlerat dhe antivlerat e veprave të letërisë, kinematografisë, shkencës, arteve figurative e muzikore të periudhës së diktaturës komuniste tek ne. Vetëm kështu do të ndihmojmë popullin të emancipohet e të dijë të vlerësojë jo me nostalgji, por sipas vlerave reale që kanë ato vepra…

Comment

*