Konfindustria kërkon që Serbia ta zhbllokojë linjën Kosovë-Shqipëri

Tiranë, 25 mars 2018 – Konfindustria e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin që Serbia që prej dy vjetësh po e pengon funksionimin e linjës 400 kilovoltëshe të energjisë elektrike mes Shqipërisë e Kosovës.

Këtë shqetësim e ka shprehur para përfaqësuesve të nivelit të lartë të BE-së dhe SHBA-së, në Forumin Ndërkombëtar për Energjinë, që është zhvilluar këtë javë në Prishtinë.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë në Shqipëri, ka kërkuar ndërhyrje më energjike të institucioneve ndërkombëtare për zgjidhjen e situatës që krijon presedan për luftë tregtare në rajon.

“Shqipërisë dhe Kosovës investimi për linjën 400kw u ka kushtuar mbi 75 milionë euro, të kredituara nga banka gjermane KFW. Mosvënia në punë, jo vetëm i shkakton një dem financiar prej miliona euro/vit, por rrezikon sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës, si edhe pamundëson krijimin e Tregut Rajonal të Energjisë të kërkuar nga BE-ja si pjesë e proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Buxhuku, transmeton Koha.net.

Konfindustria e Shqipërisë vlerëson se masat kundërpërgjegjëse nga Shqipëria dhe Kosova ndaj Serbisë mund të jenë të tipit tregtar dhe ligjor, duke patur parasysh dëmin financiar që u shkakton dy shteteve bllokimi i paarsyeshëm i vënies në punë të linjës 400kw.

“Shqipëria dhe Kosova importojnë nga Serbia prodhime me vlerë deri 500 milionë euro në vit. Traktatet ndërkombëtare parashikojnë marrjen e masave ndëshkuese, si kundërpërgjigje ndaj politikave ekonomike dhe tregtare të pandershme të një vendi”, thekson Konfindustria e Kosovës. (r.m.)

Comment

*