Kongresi fillon procedurën për shkarkimin e Presidentit Trump

Ruben Avxhiu

Vota e parë në Dhomën e Përfaqësuesve dëshmon përçarjen e thellë sipas vijave partiake

 

Politika amerikane ka hyrë në një krizë politike, ndërkohë që fillon zyrtarisht procedura e paditjes së presidentit që mund të çojë teknikisht në shkarkimin e tij.
I njohur si “impeachment” (impiçmënt), procedura është e rrallë dhe ka ndodhur të paktën dy herë të tjera në epokën moderne, ndaj Presidentëve Richard Nixon dhe Bill Clinton.
Sot, në mëngjes, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për një masë që përcakton rregullat që do të ndiqen për procedurën. Rezoluta e parqitur nga Kryetarja Nancy Pelosi, u aprovua me një shumicë votash: 232-196.
Mirëpo, kongresistët u ndanë sipas vijave partiake duke sinjalizuar se procesi do të jetë plot përplasje të ashpra politike.
Dy demokratë (Collin C. Peterson nga Minnesota dhe Jeff Van Dreë nga Neë Jersey) u bashkuan me republikanët dhe votuan kundër rezolutës. Asnjë republikan nuk guxoi të ndahej nga grupi që votoi në mënyrë unanime kundër. Ka shumë kongresistë republikanë që janë të pakënaqur me Presidentin Trump, por ata nuk besojnë se veprimet e tij justifikojnë shkarkimin nga Kongresi. Edhe demokratët nuk ishin në favor të paditjes në Kongres, përveç një pakice të majtë kongresistësh të rinj. Po raporti u përmbys, pas publikimit të ndërhyrjes së tij në Ukrainë për të komprometuar rivalin demokrat për zgjedhjet presidenciale Joe Biden. Demokratët e panë këtë ndërhyrje si një abuzim të rëndë të detyrës së Presidentit.
Një deputet i pavarur u bashkua me demokratët. Nga tre kongresistë për secilën parti munguan në votim.
“Kjo është e padrejtë, jokushtetuese, dhe thellësisht antiamerikane”, tha Stephanie Grisham, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, që quajti votën një përpjekje flagrante partiake për të shkatërruar presidentin.
Pavarësisht se mori ngjyra partiake e politike, rezoluta për të cilën votoi Dhoma ishte e natyrës proceduriale dhe teknike. Ajo vendos rregullat sipas të cilave do të ndiqet procesi. Dhoma do të hetojë akuzat dhe në fund mund të votojë për paditjen e Presidentit. Pas kësaj çështja kalon në Senat, ku republikanët kanë shumicën dhe ku Presidenti shpreson se procedura do të vdesë pa ia rrezikuar të ardhmen poltike. Deri tani, vetëm Mitt Romney, duket se është rebeluar nga grupi i Senatorëve republikanë. Dy të tretat e votës do të nevojiten për shkarkimin. (Ruben Avxhiu)

Comment

*