Kongresi i FIFA-s e nderoi Fadil Vokrrin

Moskë, 13 qershor 2018 – Kongresi i FIFA-s ka shprehur pikëllimin për vdekjen e hershme të Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Në kongresin e 68-të të FIFA-s që po mbahet në Moskë pjesëmarrësit kanë mbajtur një minutë heshtje për kryetarët e federatave të futbollit që kanë vdekur në periudhën midis dy kongreseve.

“Do të doja t’i kujtojmë ata që ishin me ne vitin e kaluar dhe, fatkeqësisht, na kanë lënë. Ngushëllime për familjet dhe të afërmit e tyre. Do të doja të mbanim një minutë heshtje, në nderim të tyre”, ka thënë Gianni Infantino, kryetar i FIFA-s.

Në punimet e Kongresit të 68-të të FIFA-s do të merrte pjesë edhe Fadil Vokrri i ndjerë.

Në punimet e këtij kongresi Kosovën e përfaqësojnë zëvendëspresidenti Agim Ademi dhe menaxheri Bajram Shala. Pikë kryesore e  kongresit do të jetë votimi për nikoqirin e Botërorit 2026. Pjesëmarrësit do të zgjedhin mes dy kandidaturave: Marokut dhe SHBA-Kanada-Meksikë. (r.m.)

Comment

*