Konjufca beson se problemet e Vetëvendosjes mund të zgjidhen, analistët nuk besojnë

Prishtinë, 20 janar 2018 – Glauk Konjufca, anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes dhe Shpend Ahmeti, nënkryetar i kësaj partie, janë autorizuar nga kryesia e partisë për të negociuar ndërmjet dy grupeve kundërshtare të Lëvizjes, në përpjekje për shpëtimin e partisë nga ndarja.

Glauk Konjufca ka shprehur bindjen se mosmarrëveshjet ndërmjet një pjese të kryesisë së partisë dhe një pjese të grupit të deputetëve të Vetëvendosjes mund të tejkalohen përmes bisedimeve dhe trajtimit yë problemeve brenda forumeve partiake.

“Figurat më të rëndësishme janë të kyçura në këtë proces që të mund të krijohet një lloj përafrimi i qëndrimeve sa i përket grupeve të ndryshme se si e shohin të ardhmen dhe rrugëtimin e Vetëvendosjes”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

“I kam dëgjuar të gjithë ata që kanë shprehur pakënaqësitë e tyre. Do të vazhdoj të takohem me ta edhe në ditët në vazhdim, me qëllim që kur ta kuptojmë edhe më hollësisht atë çka po e paraqesin grupi i të pakënaqurve, në mënyrë që të kemi mundësi për të krijuar një raport të saktë lidhur me qëndrimet e tyre dhe oër të vendosur farë drejtimi duhet të marrim ne që ata të ndihen komodë”, ka shtuar Konjufca.

Por, analistët vlerësojnë se problemet e brendshme të Vetëvendosjes janë të mëdha dhe se ato e kanë dëmtuar shumë këtë parti, e cila është partia më e madhe në Kuvend, me 32 deputetë.

Krenar Gashi ka thënë se çarjet brenda Vetëvendosjes vështirë se mund të mbyllen në një të ardhme të afërt.

“Duke pasur parasysh që palët në konflikt i kanë paraqitur në publik plot të meta për njëra-tjetrën, duket jashtëzakonisht vështirë të ndodhë një pajtim”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se edhe nëse do të ketë një përafrim apo pajtim, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë ajo që ka qenë deri më tash.

“Ka plot njerëz aty që e shohin Vetëvendosjen si qëllim në vetëvete dhe, duke e pasur parasysh këtë fakt, gjasat janë shumë të vogla që Vetëvendosje të arrijë t’i evitojë problemet që e kanë karakterizuar për më shumë se një vit”, ka theksuar Gashi.

Sië duket nga paraqitjes publike të të dyja taboreve, tani mbetet e hapur dilema nëse ata që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në strukturat drejtuese të partisë do të rikthehen në parti apo do të themelojnë një fraksion të veçantë politik, jashtë strukturave aktuale të Vetëvendosjes.

Të dyja këto opsione konsiderohen të dëmshme për fuqinë politike të Vetëvendosjes. (r.m.)

Comment

*