Konjufca: PAN-it po i duhet kohë për të bërë pazare

Prishtinë, 9 gusht 2017 – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se koalicionit PAN po i nevojitet kohë për të bërë pazare, prandaj po kërkojnë takime të reja konsultative të përfaqësuesve të partive parlamentare.

Konjufca e ka bërë këtë deklaratë në një konferencë për gazetarë, në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesës së përfaqësuesve të koalicionit PAN  që të mërkurën e ardhshme të mbahet edhe një takim tjetër konsultativ dhe më pas të thirret vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit.

Konjufca ka thënë se Kuvendi i Kosovës po mbahet peng për një emër, atë të Kadri Veselit.

Konstituimi ka mbetur peng i një emri që është Kadri Veseli. Nëse PDK nuk heq dorë nga Kadri Veseli ne e ftojmë ta qesin në votim atë. Nëse ata patjetër e duan atë unë, i ftoj që nesër ta qesin emrin e këtij njeriu që qenka kaq i rëndësishëm”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se kërkesa e PAN-it për një takim tjetër konsultativ është e pajustifikueshme. Sipas tij, PAN-i synon që përmes këtyre takimeve “të blejë kohë e t’i kryejë pazaret me deputetë veç e veç”.

“Këto takime janë të panevojshme. Arsyeja është se përmes këtyre takimeve po duan t’i zëvendësojnë seancat. PAN po dëshiron të blejë kohë e t’i kryejë pazaret me deputetë veç e veç qoftë me Teuta Rugovën qoftë me deputetë të tjerë. Është në kompetencën e kryesuesit që të përmbyllë sa më shpejt seancën e 3 gushtit”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes nuk ka marrë pjesë në takimin e sotëm konsultativ të përfaqësuesve të partive parlamentare. Të premten që shkoi, pas takimit të fundit konsultativ, Konjufca kishte deklaruar se Koalicioni PAN synon që përmes takimeve të tilla konsultative ta shndërrojë në çështje politike çështjen e zgjedhjes së kryeparlamentarit, e cila është ekskluzivisht çështje procedurale. (r.m.)

Comment

*