Konjufca: Qeveria e ka fshehur një aneks të Marrëveshjes për Drejtësinë

Prishtinë, 25 tetor 2017 – Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Kkonjufca, ka thënë se kjo parti ka gjetur një dokument të mbajtur fshehtë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, bëhet fjalë për një aneks të Marrëveshjes për Drejtësinë që lejon interferimin e sistemit të drejtësisë së Serbisë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

“Dje e morëm vesh që nuk ka qenë e gjitha. Ne e kemi zbuluar një aneks që Qeveria e ka mbajtur të fshehur”, ka thënë ai, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, në këtë aneks parashikohet që të gjitha aktgjykimet e Serbisë të konsiderohen të vlefshme në Kosovë.

“Thuhet se konsiderohen të vlefshme aktgjykimet e Serbisë në Kosovë. Kjo është mbajtur e fshehur nga Qeveria e Kosovës, pikërisht për shkak të kësaj përmbajtjeje”, ka theksuar ai.

Konjufca ka thënë se një gjë e tillë “i demaskon të gjitha gënjeshtrat e Qeverisë së Kosovës”.

“Kjo i demaskon gënjeshtrat e qeverisë duke thënë se gjithçka ka qenë në përputhje me ligjin. Po shihet fare qartë që ata (gjyqtarët e prokurorët serbë) nuk janë emëruar me konkurs, por me negociata mes qeverisë sonë dhe Vuçiqit”, është shprehur Konjufca, transmeton Zëri. (r.m.)

Comment

*