Konjufca: Qeveria të japë dorëheqje për kolapsin e segmenteve të shtetit

Prishtinë, 30 mars 2018 – Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se rasti i arrestimit të gjashtë shtetasve turq dhe dëbimit të tyre në Turqi dëshmon “kolapsin” e segmenteve vitale të shtetit.

“Kjo është e pa precedentë me ndodh në një shtet evropian. Këtu kemi parë kolaps të krejt segmenteve shtetërore, sepse të tri figurat qendrore të shtetit dolën dhe thanë se nuk janë në dijeni”, ka thënë Konjufca.

“Kryeministri del dhe thotë se s’ka ditur asgjë, kryeparlamentari e dënon aktin. Të gjithë duan që të amnistohen”, ka thënë ai.

Konjufca ka theksuar se të gjithë “po ia drejtojnë gishtin” Presidentit Hashim Thaçi, për këtë akt të papresedencë.

Ai ka vlerësuar se me këtë rast janë shkelur të drejtat e njeriut dhe konventat evropiane dhe ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë.

“Çdo shtet evropian, ku do të ndodhte diçka e tillë, më së paku është largimi i Qeverisë”, ka theksuar Konjufca.

Shefi i grupit të deputetëve të Vetëvendosjes ka thënë se gjashtë “gulenistët” e deportuar nga Kosova do të persekutohen në Turqi “vetëm për shkak të bindjeve të tyre, dhe për asnjë arsye tjetër”. (r.m.)

Comment

*