Kontrata për “Kosovën e Re” – me shumë dëme dhe rreziqe

Prishtinº, 12 maj 2019 – Kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” paraqet shkelje të rëndë të rregullave të tregut, konkretisht të ndihmës shtetërore, ka thënë Blend Hyseni, analist e hulumtues në Institutin GAP.

Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, Hyseni ka thënë se jetësimi i projektit “Kosova e Re” rrezikon të shkaktojë probleme serioze sociale dhe ligjore, shkruan sot Koha Ditore.

Duke folur për pasojat sociale, ai ka thënë se TC “Kosova e Re” do të shkaktojë ngritje të çmimit të energjisë elektrike për mbi 60 për qind, i cili do të jetë i papërballueshëm për një numër madh të qytetarëve të Kosovës.

“Kjo ngritje do të jetë sfidë edhe për bizneset të cilat do të jenë jokonkurrente edhe në tregun vendor, edhe në atë të jashtëm”, ka thënë Hyseni.

Por, Hyseni ka paralajmëruar se me këtë projekt Kosova rrezikon anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare që e ndalojnë ofrimin e ndihmës shtetërore dhe se vendi rrezikon të paditet nga kompani të tjera që operojnë në tregun e energjisë në Kosovë, të cilat diskriminohen për shkak të benefiteve që ofron për kompaninë “CountourGlobal”, siç janë garantimi i kredisë, garantimi i çmimit dhe garantimi i tregut.

Ai ka përmendur vlerësimin preliminar të Sekretariatit të Energjisë, duke theksuar se kontrata për TC “Kosova e Re” është në kundërshtim me ligjet evropiane mbi konkurrencën dhe ndihmën shtetërore.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka lidhur një kontratë me një subjekt, i cili do të ndërtojë termocentralin e ri pa kërkuar miratimin e departamentit për ndihmë shtetërore, siç kërkohet me ligj.

Sa i përket themelimit të kompanisë së re “NKEC”, ai ka thënë se sipas kontratës së nënshkruar kjo kompani ka funksion mjaft të limituar. Ka thënë se formimi i saj dhe punësimet në këtë kohë të hershme shkaktojnë vetëm dëme buxhetore, si dhe ngritje të shpenzimeve të projektit.

Hyseni ka thënë se në rast të shkëputjes së komtratës me kompaninë “ContourGlobal”, Kosova do të detyrohej të paguante 19.7 milionë euro dëmshpërblim. Por, ai ka theksuar se shkëputja e kësa kontrate do t’i hapte Kosovës rrugë për të filluar një qasje tjetër ndaj tregut të energjisë. (r.m.)

Comment

*