Kopaç: Qytetarët do ta paguajnë koston e lartë të ndërtimit të “Kosovës së Re”

Prishtinë, 13 shkurt 2019 – Energjia e prodhuar nga termocentrali “Kosova e Re” ka çmim të garantuar prej 80 euro/MWh apo 20-30 euro/MWh më shumë se sa çmimi mesatar në rajon. Këtë diferencë të çmimit do ta mbajnë mbi supe shteti apo tatimpaguesit kosovarë.

Kështu ka thënë drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopaç, në një takim me anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, të martën.

Gjatë këtij takimi, ai ka shpalosur shkeljet që janë bërë me nënshkrimin e kontratave për projektin “Kosova e Re”, të cilat kanë të bëjnë me legjislacionin e ndihmës shtetërore dhe konkurrencës së lirë, shkruan sot Koha Ditore.

Ditë më parë, Kosova e ka themeluar kompaninë publike NKEC, e cila do të shërbejë si ndërmjetësuese mes kompanisë “Contour Global”, e cila do ta ndërtojë termocentralin “Kosova e Re”, dhe pjesës tjetër të tregut të energjisë në Kosovë.

Sipas marrëveshjes me “Contour Global”, NKEC detyrohet ta blejë kapacitetin prodhues të termocentralit të ri, edhe nëse tregu nuk ka nevojë. NKEC do t’ia shesë atë energji KEDS-it apo dikujt tjetër, me çmim më të lirë se kostoja e prodhimit, ngase çmimi mesatar rajonal është 50-60 euro/MWh. Kështu, shteti dhe tatimpaguesit kosovarë e marrin mbi supe diferencën e çmimit prej minimum 20-30 euro/MWh, shkruan Koha Ditore. (r.m.)

Comment

*