Korçarët në revansh për pronësinë e flamurit të pavarësisë

Ylli Polovina
(Fotografi nga Qerim Vrioni, tetor 2017)

Shkrimi i gjashtë i ciklit për 550 vjetorin e pritshëm të vdekjes së Skënderbeut

 

Në shkrimin e herës së shkuar rrëfyem se fotua që mund të na ndihmonte sadopak (shpresa e fundit) për të zbardhur enigmën e mungesës së pamjes së ngritjes së flamurit kombëtar në pragmbrëmjen e 28 nëntorit 1912 në Vlorë, është e katërta që historia shqiptare zotëron. Ndërsa dy prej të mëparshmeve, ato me Isa Boletinin, janë të 30 nëntorit apo 1 dhjetorit, fotua kolektive e pjesëmarrësve në Kuvendin e Pavarësimit e kryer në 4 dhjetor, ajo që do të shqyrtojmë tani, sipas tekstit të saj shoqërues, lë të kuptojë se është bërë në mesditën apo orët e para të pasdites së 26 nëntorit, datës kur Ismail Qemali me grupin e tij të madh të veprimtarëve nacionalistë, hyri në Vlorë.

Vumë në dukje, në shkrimin pararendës, se këtë foto e pati paraqitur për herë të parë me shpjegimin përkatës, studiuesi në moshë të re i fotografisë shqiptare, Niko Kotherja, i cili është korçar.

Informuam me këtë rast se ai e kishte vendosur atë në një album të publikuar në 2010 dhe të titulluar qatë: “Enciklopedi e fotografëve korçarë”.

Tekstin shoqërues të fotos, e rikujtojmë lexuesin e “Illyria” Kotherja e pati hartuar me fjalët: “Udhëtimi i shpalljes së pavarësisë kombëtare. Një pushim i delegatëve në ullishtat e Vlorës para hyrjes në qytet. Nga e majta në të djathtë: Dh. Zografi, Dh. Beratti, Dh. Emanoil Mborja, P. Cale, Q. Kokoshi, etj. Fotograf Vani Burda”.

Siç edhe mëshuam në shkrimin e kaluar, “Po t’i besojmë këtij shpjegimi, në ditën e 28 nëntorit, kur në pasditen e vonë u ngrit flamuri kombëtar, në Vlorë qe të paktën një fotograf. Ishte muzg i thellë apo edhe më errët se kaq, çfarë e pengonte fiksimin e pamjes, është çështje tjetër”.

Pra, Vani Burda, në mos në 28 nëntor, do të kryente foto në ditët e mëpasshme. Por nuk ka asnjë.

Studiuesi Niko Kotherja, natyrë e vëmendshme, po ta dinte, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë se aparati i Burdës ka fiksuar dy fotot e Isa Boletinit dhe atë të kuvendarëve të pavarësishpalljes, nuk do të ngurronte ta thoshte. Dihet se prej Korçës me të drejtë ka ardhur këmbëngulja se autori i fotos së bërë në 28 nëntor 1913 dhe prej krerëve tanë politikë është paraqitur si origjinalja e një moti më parë, është nga qyteti i tyre.

Është Petro Dhimitri.

Vërtetimi se fotua e pretenduar se është kryer në ullishtet e Vlorës në 26 nëntor 1912 do të thotë se korçari Vani Burda, të cilit, siç njihej, i hanin duart për të fotografuar, por edhe ndërhyrë artistikisht mbi to, detyrimisht nuk mund të ketë vetëm një pamje nga pragu i ngjarjes së madhe dhe asnjë prej saj!!

Logjika këtu blokohet. Nuk e pranon dot një rrjedhë të tillë të veprimit njerëzor. Gjithnjë në rast se Burda me të vërtetë ka qenë në Vlorë. Sepse edhe mund të mos ketë ndodhur ndonjë prani e tij këtu.

Mbrojtësit e pikëpamjes se fotua është origjinale, se “Vani Burda ishte pjesë e delegacionit shqiptar të Bukureshtit që vinin për të festuar shpalljen e pavarësisë”, se “Në rrugëtimin drejt Vlorës, Burda fiksoi një moment të këtij udhëtimi historik, ku delegatët janë duke pushuar me armë në dorë nën një ullishte” dhe se “në sfond është flamuri me shqiponjën dykrenore”.

Na duhet ta hetojmë këtë paraqitje të ngjarjes për një arsye tepër të rëndësishme për temën e ciklit të shkrimeve tona: pretendohet se pikërisht ky flamur i nderur në 26 nëntor gjatë pushimit të delegatëve korçarë nga Bukureshti, është edhe ai që u ngrit në ballkon të sarajeve Vlora në pragmbrëmjen e 28 nëntorit 1912.

Ndërkaq e rikujtojmë lexuesin se autori i këtyre shkrimeve është i mendimit që para popullit dhe vetë historisë së asaj dite të shënuar qe protagonist flamuri i Aladro Kastriotit, të cilin ai ia pati dhuruar Eqrem bej Vlorës.

Në raportin e konsullit austriak, Wenzel Lejhanec, dërguar nga Vlora ministrit të tij të Jashtëm, kontit Leopold Berchtold, në Vjenë më datë 29 nëntor 1912, si të deleguar nga Korça ai rreshton këta emra: Dimitri Zografi, Pandeli Tsala, Kristo Meksi, Dimitri Mboria, Pandeli Mboria dhe Dimitri Berati. Lista zyrtare shqiptare thonë se ishin Pandeli CaleThanas Floqi dhe Spiro Ilo. Po ashtu se nga kolonia shqiptare e Bukureshtit qenë Dhimitër ZografiDhimitër MborjaDhimitër Berati dhe Dhimitër Ilo. Nga dokumentet origjinale del se në fillim të mbledhjes së Kuvendit, pasi foli Ismail Qemali, u krye edhe verifikimi i mandateve. Prej kësaj procedure nuk rezultoi të kishte atë ditë ndonjë përfaqësues nga Korça dhe se prej kolonisë së Bukureshtit qenë të pranishëm Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja (Emanuil), Dhimitër Beratti dhe Dhimitër Ilo, i cili “pritet të vijë”.

Këta të gjithë qenë në thelb korçarë.

Siç e shihni në verifikimin e parë të atyre që morën pjesë në ditën e fillimit të Kuvendit dhe të shpalljes së pavarësisë mes të ardhurve nga Bukureshti nuk ka asnjë me emrin Vani Burda, siç edhe është pretenduar.

Ndërkaq i deleguari Dhimitër Zografi, pesë vite më vonë, në 30 nëntor 1917, botoi tek revista “Ylli i Mëngjesit”, një reportazh të gjatë mbi tërë historinë e udhëtimit të grupit të tyre, në krah të Ismail Qemalit, që nga Bukureshti deri në Vlorë. Çfarë ai rrëfeu përbën një nga burimet më autentikë dhe më të shumë informuar.

Zografi ndër të tjera thotë se “Vendi ku do të haseshin të gjithë delegatët, u zgjodh Trieshti. Kolonia e shqiptarëve të Bukureshtit zgjodhi këta delegatë: Z. Pandeli Evangjeli, Dimitri Ilua, Dimitri Zografi, D. Emanoil dhe D. Berati”. Më pas, ndërsa thekson se “Ismail Qemali me L. Gurakuqin shkuan ca ditë më parë për në Vjenë” dhe se “Më 3 të vjeshtës së tretë (që do të thotë 16 nëntor-shënimi ynë) ikëm që këtej për në Trieshte po z. P. Evangjeli nuk ardhi dot për shkake vetiake dhe z. D. Ilua, me që ardhi 5-6 ditë më vonë, mbeti në Kataro”.

Dhmitër Zografi me këtë rast shënon: “Si vetëdashës ardhë z. Pandeli Cale, Spiridhon Ilo dhe D. Emanoil”.

Në shkrimin e tij të hollësishëm dhe të gjatë për tërë ngjarjen e pavarësimit ai nuk e përmend asnjëherë Vani Burdën. Nuk flet as për foton tek ullishtet. Si korçar që ishte, pra me pasionin e shpirtit lokalist, po qe se Burda do të ndodhej mes ardhësve nga Bukureshti apo do të gjendej në Vlorë nëpërmjet ndonjë rruge tjetër, do ta pohonte faktin menjëherë.

Ndërkaq, rikujtojmë, se studiuesi Niko Kotherja, duke e paraqitur foton e pushimit të fundit të të ardhurve nga Bukureshti para se të hynin në Vlorë, automatikisht këmbëngul se Vani Burda jo vetëm qe i pranishëm, por pati ardhur prej të njëjtit drejtim.

Nuk ka lënë asnjë shenjë (foto) se ka qenë në Vlorë gjatë ditëve të punimeve të Kuvendit, nuk konfirmohet se ka qenë me grupin e korçarëve të ardhur prej Bukureshtit, pra as me masën e madhe të shoqëruesve të Ismail Qemalit, emri i Burdës është elementi i parë që nuk qendron në këmbë dhe bie prej tekstit  shoqërues të fotos mbi ullishtet.

Është montazh.

Ndërkohë autor i saj mund të jetë një tjetër dhe korçarët kanë vrapuar ta mbushin këtë boshllëk me variantin dhe njeriun e tyre. Kjo synonte tepër lart. Sipas kësaj manovre bashkëqytetësit e tyre jo vetëm iu bënë krahu i djathtë të veprës madhore të Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë (ç’ka është një e vërtetë e madhe dhe këtij fakti historia jonë duhet t’i japë edhe më shumë reliev), por edhe sollën me vete flamurin kombëtar që u ngrit në 28 nëntor 1912.

Vijon kokëfortë të qarkullojë interpretimi se ai ditën kur në Bukuresht Ismail Qemali mbajti në hotel “Kontinental” mbledhjen me koloninë shqiptare vendase, 5 nëntor, në fasadën e ndërtesës qe i shpalosur pikërisht ky flamur. Sipas këtij varianti rrëfimi, ishte pjesëtari i grupit të të dërguarve të kolonisë, Spiridon Ilo, që e mori me vete dhe e solli në Vlorë.

Të mos harrojmë: ky, sipas Dhimitër Zografit, firmëtar i Aktit të Pavarësisë,  nuk ishte delegat, por një vetëdashës për të ardhur në ngjarjen e madhe.

Mirëpo Ilo çuditërisht nuk është i pranishëm në foton e pushimit tek ullishteve të Vlorës, nuk vihet në dukje prej studiuesit Niko Kotherja. Po të ishte ai do ta nënvizonte këtë prani të çmuar menjëherë.

Spiridon Ilo në foton e pushimit tek ullishtet e Vlorës nuk ka, ndërkohë që nderur pranë gjithë të pranishmëve në atë çast ka një flamur.

Atëherë nga Bukureshti erdhën dy të tillë? Po të ndodhte kjo do të vihej në dukje prej dëshmitarëve dhe sidomos rrëfyesve të atij udhëtimi njëzetë ditor nga kryeqyteti rumun deri në Vlorë.

Apo flamuri që rreh palët, duke mos qenë mes pjesëmarrësve vetë Spiridon Ilia, i cili tërë kohës thuhej se e mbante me vete, i kujt është ai?

E ka detyrimisht një “pronar”, një ruajtës, një transportues.

Po ta shihni me kujdes foton që po shqyrtojmë, të katërtën e tyre dhe të fundit si dëshmi me pamje reale nga ditët e Kuvendit të Vetëpavarësimit, ai ka një valvitje të çuditshme, gati të tendosur si të jetë një copë llamarine apo përreth të fryjë një erë shumë e fortë, çfarë nuk e reflektojnë  njerëzit e pranishëm të ulur qetësisht përdhe.

Mos është pikturuar më pas?

Pra, shtuar?

Për ta lehtësuar këtë vëzhgim, i cili do të jetë lënda kryesore e shkrimit të ardhshëm, çfarë do të na ndihmojë të kuptojmë nëse në ballkonin e sarajeve Vlora Ismail Qemali ngriti (ose jo) flamurin e sjellë nga korçarët prej fasadës së Hotelit “Kontinental” në Bukuresht, po i paraqitim lexuesit dy pamje te veçuara të tij.

Mund të dallohet silueta e shqiponjës dykokëshe.

Këtu mund të ndodhet “çelsi” i enigmës.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 22 tetor 2017

Fotografi gjatë Pushimit Tek Ullishtet E Vlorès.

Flamuri i Ullishtes Prane Vlores.

Flamuri i Ullishtes Prane Vlores Ngjyreverdhe

 

Comment

*