Kosnett kundërshton emërimin eventual të Sylejman Selimit si ambasador

Prishtinë, 3 maj 2019 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një postim në Twitter, ka reaguar në lidhje me emërimin eventual të Sylejman Selimit, ambasador në Shqipëri.

Ai ka pyetur se cili është mesazhi që e jep Kosova, nëse e emëron ambasador një të dënuar për krime lufte.

“Çfarë mesazhi dërgon Kosova në botë kur propozon një të dënuar për krime lufte si Ambasador? A tregon kjo respekt për rendin dhe ligjin? Ne kundërshtojmë fuqishëm një vendim të tillë. Presim e shohim”, ka shkruar ambasadori Kosnett.

Ambasadori amerikan e ka quajtur dekurajuese edhe hedhjen poshtë të aktakuzës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, nga opozita e atëhershme e përbërë nga Vetëvendosje, AAK e Nisma, para dy vjetësh.

“Dekurajuese të shohësh që një akuzë dy-vjeçare për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend është hedhur poshtë nga prokurorët, pavarësisht pranimit të fajësisë dhe dëshmive të gatshme. Praktikat e gjykimit të drejtë nga prokurorët kërkojnë profesionalizëm dhe përgatitje”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Ambasadorin Kosnett e ka gëzuar vetëm ngritja në detyrë e dy oficereve të Policisë së Kosovës, të cilat janë avancuar në kolonele. (r.m.)

Comment

*