Kosova barazon me Malin e Zi, në Podgoricë

Podgoricë, 7 qershor 2019 – Kosova luajti baraz, 1:1, me Malin e Zi në ndeshjen e rrethit të tretë të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Kombëtarja kosovare kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Milot Rashica, në minutën 24, kurse Mali i Zi barazoi në minutën 69 me golin e realizuar nga Stefan Mugosha.

Kjo është ndeshja e 13-të me radhë e Kosovës që nuk ka pësuar humbje.

Por, ekipi i Kosovës ka arsye të jetë i pakënaqur me këtë rezultat, pasi në ndeshjen e sotme, e cila u zhvillua në Podgoricë, dominoi të shumtën e kohës në stadiumin e Podgoricës. Futbollistët kosovarë nuk i realizuan disa raste të mira për të shënuar dhe për t’u kthyer në Prishtinë me fitore.

Ndërkaq, Mali i Zi ka arsye të jetë i kënaqur me këtë rezultat, pasi luajti me një ekip pothuaj të përgjysmuar. Tre lojtarët kryesorë të këtij ekipi ishin të lënduar, ndërsa trajneri dhe dy lojtarë, të tre me përkatësi etnike serbe, e bojkotuan ndeshjen me Kosovën. Ata nuk e përballuan presionin e jashtëzakonshëm të Beogradit për të mos zhvilluar ndeshje me Kosovën.

Ndeshja Mali i Zi – Kosova u zhvillua pa shikues. FIFA e ka dënuar Malin e Zi me dy ndeshje pa shikues, për shkak të thirrjeve raciste të një grupi tifozësh në ndeshjen me Anglinë. Autoritetet malazeze e kanë cilësuar të nxitur veprimin e tifozëve që fyen në baza racore futbollistët me ngjyrë. (r.m.)

Comment

*