Kosova dhe Shqipëria krijuan Kalendarin e Përbashkët Kulturor

Prishtinë, 13 shkurt 2014 – Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët vjetor kulturor.

Ministrat e Kulturës së të dy vendeve, Memli Krasniqi dhe Mirela Kumbaro – Furxhi, kanë nënshkruar të enjten në Tiranë Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e kulturës, me të cilin edhe u themelua Kalendari i Përbashkët Kulturor.

Protokolli i Bashkëpunimit do të jetë në fuqi gjatë katër vjetëve të ardhshme, me mundësi të plotësimit. Ndërkaq, kalendari i përbashkët do të plotësohet çdo vit.

Protokolli i Bashkëpunimit dhe themelimi i kalendarit të përbashkët kulturor pason disa takime të mbajtura në Prishtinë dhe në Tiranë, prej muajit shtator të vitit 2013, dhe mbledhjes së dy qeverive në muajin janar të vitit 2014.

Ministri Memli Krasniqi e ka vlerësuar Protokollin e Bashkëpunimit dhe themelimin e Kalendarit Kulturor si një etapë të re të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Ky takim i sotshëm, padyshim që shënon një etapë të re për dy vendet tona dhe në përgjithësi për kombin tonë. Është e një rëndësie të veçantë për bashkëpunimin tonë kulturor”, ka thënë Krasniqi.

“Ne jemi munduar që t’i japim rëndësi disa aspekteve si: ruajtjes së vlerave dhe traditës, fuqizimit të skenës kulturore në jetën tonë shoqërore, promovimit të skenave tona kulturore dhe, natyrisht, çeljes së udhës për gjeneratat e reja që të krijojnë vlera, duke pasur gjithmonë në mendje gjenerata të tëra artistësh që kanë ndërtuar imazhin e vërtetë të kombit tonë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ministrja Kumbaro-Furxhi ka thënë se kjo lidhje e bashkëpunimit është një hap konkret.

“Ne jemi sot bashkë për të bërë një hap përpara në njohjen tonë të ndërsjellë, në lidhjet tona, në shkëmbimin e ideve dhe përvojave. Jemi bashkë këtu, jo vetëm për deklarata, por për një projekt të përbashkët kulturor, për aksionet tona, për publikun tonë, këtu dhe atje, për njerëzit e artit, për një varg të përbashkët të trashëgimisë kulturore. Projektin tonë të përbashkët unë e ndjej si një qarkullim të vlerave të përbashkëta, shkëmbim të përvojave në menaxhimin e institucioneve të artit”, ka thënë ajo.

Kumbaro – Furxhi ka thënë se kultura është hapësira jonë e përbashkët dhe nuk ka kurrfarë kufizimesh në angazhime dhe veprime konkrete.

Krasniqi dhe Kumbaro- Furxhi kanë bërë homazhe tek varri i këngëtares së njohur shqiptare, Vaçe Zela.

 

Kalendari i përbashkët kulturor do të nisë qysh nesër me ekspozitën “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, e cila do të hapet në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me rastin e 6 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. (r.m.)

 

Në vijim po e japim të plotë Kalendarin e Përbashkët Kulturor midis Kosovës e Shqipërisë për vitin 2014.

 

–     Ekspozita e Fototekës Marubi në bashkëpunim me Galerinë e Arteve të Prishtinës: “Objekti i lëvizshëm i një arkivi”- 14 shkurt, 2014 në Prishtinë.

 –     Shfaqja për fëmijë  “Princesha Teuta” dhe Këngë e valle popullore dhe poezi të Qendrës Kombëtare Fëmijëve, Tiranë do të jetë në  Prizren, më 17 shkurt 2014

 –     Në kuadër të përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës dhe Shqipërisë, respektivisht në shkurt dhe nëntor, do të organizohen shfaqje filmash në Prishtinë dhe Tiranë, të arkivit të filmit nga të dyja vendet

 –     Botohet vepra e plotë e Jeronim De Radës-shoqëruar me aktivitetin promovues në Kozencë, Tiranë dhe Prishtinë

 –     Do të botohet antologji e poezisë shqipe të shekullit XX, mbështetur nga të dy Ministritë

 –     Shpallim sot angazhimin e përbashkët për mbështetjen e Festivalit të Gjirokastrës në vitin 2015.

 –     Në vijim të angazhimit të dy qeverive, edhe Doku Fest është pjesë e këtij kalendari.

 –     Në muajin mars për herë të parë vjen në Tiranë trupa e baletit dhe solistet e Teatrit të baletit të Prishtinës me shfaqjen “Dashuria që vret”.

 –     Gjithashtu nga Prishtina vjen shfaqja “Ballo e Diplomës”

 –     Angazhim konkret për përfshirjen e artistëve nga Kosova në projekte të TKOB në Tiranë

 –     Kalendari kulturor përfshin hapësirë të përbashkët për filmin në festivalet prestigjioze si Berlinale dhe Kanë, viti 2015

 –     Në muajin shtator Qendra Kombëtare e Fëmijëve do të organizojë shfaqjen në Prishtinë dhe në Tiranë “Dy trëndafila një kurorë”.

 –     Në artin pamor në Tiranë do të organizohet ekspozitë e Simon Shirokës.

 –     Në Prishtinë një ekspozitë e Realizmit Socialist.

 –     Konferencë vjetore një herë në Prishtinë dhe një herë në Tiranë për trashëgiminë kulturore materiale dhe jo materiale me tematika specifike.

 –     Trajnime te përbashkëta nga specialistet e Unescos dhe organizata të tjera.

 –     Trajnime nga stafi i Bibliotekës kombëtare në Tiranë për specialistët në Prishtinë.

 –     Pjesëmarrje e përfaqësuesve nga Kosova në aktivitetet  e Agjencisë të Shërbimit Arkeologjik

 –     Premierë e përbashkët dhe produksion koreografik të ansamblit të këngëve dhe valleve popullore dhe ansamblit Shota ”Pazari i Korçës dhe Prizrenit”.

 –     Më së paku shfaqja e një premiere në Tiranë dhe Prishtinë e Teatrove Kombëtare.

 –     Konferenca për dramaturgjinë në Tiranë.

Comment

*