Kosova dhe Zvicra shprehin interesim për bashkëpunim në sektorin e qumështit

Prishtinë, 23 janar 2017 – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, e ka pritur në takim drejtorin e Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër-Kosovë, Stefan Sarkany, si edhe udhëheqësin e Organizatës Zvicerane të Prodhuesve Artizanalë të Djathit “From Arte”, Jacques Gygax, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të qumështit.

Krasniqi i falënderoi drejtuesit e këtyre organizatave për gatishmërinë e tyre për fillimin e bashkëpunimit në këtë sektor, pasi përvoja dhe ndihma e Zvicrës është e mirëseardhur, pasi ky shtet është i njohur për prodhimet e qumështit.

Ministri Krasniqi i njoftoi mysafirët edhe me të arriturat në bujqësi në vitet e fundit. Ai tha se po bëhen investime në rritje të prodhimit dhe të cilësisë së produkteve të qumështit, në mënyrë që ato të arrijnë të zëvendësojnë shumë produkte që importohen, por edhe të jenë konkurrente në tregun ndërkombëtar.

Nga ana e tyre, drejtuesit e dy organizatave zvicerane e njoftuan ministrin me format e bashkëpunimit që ata janë të gatshëm t’i fillojnë me prodhuesit dhe me përpunuesit e qumështit në Kosovë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural njofton se ky takim është organizuar gjatë vizitës që zëvendësministri i MBPZHR-së, Kurtan Kajtazi, ka pasur në Zvicër, ku ishte arritur pajtimi për fillimin e një bashkëpunimi konkret mes dy vendeve në sektorin e qumështit. (r.m.)

Comment

*