Kosova do të marrë 100 milionë euro kredi nga BE

Prishtinë, 30 korrik 2020 – Ministria e Financave dhe Banka Qendrore e Kosovës kanë nënshkruar me Bashkimin Evropian marrëveshjen për një kredi me vlerë 100 milionë euro, me destinim asistencën makro-financiare.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, zëvendës-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli, dhe nga komisioneri për Ekonomi i Bashkimit Evropian, Paolo Gentiloni.

Ministria e Financave tha se kjo marrëveshje është rezultat i mbështetjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo marrëveshje ka ardhur si rezultat i hapjes së mundësisë së përfitimit nga kjo skemë e Bashkimit Evropian edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndihma makro-financiare jepet në ndërlidhje me ndihmën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në prill të vitit 2020 miratoi Instrumentin e Financimit të Shpejtë për Kosovën, në vlerë prej 51.6 milionë EUR”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.

Në komunikatë thuhet se kjo kredi do të ketë destinim Planin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia e koronavirusit.

“Kjo kredi do të ndihmojë në Planin për Rimëkëmbje Ekonomike dhe në zbatimin e masave emergjente. Një pjesë e disbursimit varet nga plotësimi i disa kritereve të cilat Qeveria e Kosovës është zotuar se do t’i realizojë me përpikëri, pasi të njëjtat i ndihmojnë përmirësimit të Administratës Publike në Kosovë dhe rritjes së transparencës”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.

(r.m.)

Comment

*