Kosova duke pritur Godonë – shpëtimtarin…

Sadik Elshani

Nga Sadik Elshani

Që në fillim duhet theksuar se skena e sotme politike kosovare karakterizohet nga një amulli ngulfatëse. Nga të gjithë politikanët aktivë, kryetarë partish e drejtues të institucioneve qeveritare, shtetërore nuk ka ndonjë personalitet që shkëlqen, që frymëzon e që të ngjallë shpresën për një të ardhme të ndritur të shtetit të Kosovës. Proceset e gjertanishme zgjedhore nuk nxorën ndonjë parti apo koalicion qeverisës, që ishte i aftë për të udhëhequr, për t’u ballafaquar me sfidat dhe problemet e shumta me të cilat po ballafaqohet shoqëria kosovare dhe shteti i Kosovës, probleme që kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë. Populli i Kosovës, përkatësisht zgjedhësit (elektorati) apo siç po i thone, sovrani, ka ra në hall, sepse i provoi gati të gjitha partitë dhe koalicionet e mundshme, por pa ndonjë sukses domethënës. Edhe koalicioni LVV – LDK i dale nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, i quajtur edhe “koalicioni i shpresës”, mund të ishte çdo gjë, por jo “koalicion i shpresës”. Tani dihet mirë sesi përfundoi ky koalicion dhe nuk ka nevojë të zgjatemi më tepër këtu. Koalicioni kërkon bashkëqeverisje të sinqertë, respekt të ndërsjellë, kompromis e tolerancë dhe jo arrogancë, kokëfortësi, duke e nënçmuar e poshtëruar partnerin bashkëqeverisës. Po duket se edhe populli disi i është dorëzuar fatit, duke u bërë të varur nga politikanët e paaftë e të korruptuar të cilët i voton vetë – një “Sindrom i Stokholmit” i llojit të vet.

Duke pritur Godonë

Vazhdimisht jemi në pritje që të ndodhë diçka e mirë, e mbarë. Dhe kjo pritje i ngjanë asaj pritjes së famshme: Duke pritur Godonë. Është kjo drama e njohur e teatrit absurd e romancierit, dramaturgut, tregimtarit, regjisorit e poetit të njohur irlandez, Samuel Becket (1906 – 1989). Dhe njerëzit e përdorin këtë shprehje për të përshkruar një gjendje kur ata presin që të ndodhë dicka, por që ndoshta kurrë nuk do të ndodhë, kurrë nuk do të vijë. Është një thënie e Bertolt Brtechtit (1898 – 1956): “Fatkeq është ai vend që ka nevojë për heronj. Edhe më fatkeq është vendi që ka nevojë për heronj dhe nuk e ka asnjë”. Më duket se ne sot jemi në këtë gjendje. Unë do të shtoja edhe diçka: Mjerë ai vend, komb që shpëtimin e tij e pret nga një individ, parti. Sidomos, ndonjë mbinjeri apo profet i rrejshëm, sepse kur mbinjeriu ka ardhë, populli nuk ka parë ditë të bardhë. Pas vdekjes së parakohshme të dr. Ibrahim Rugovës, në skenën politike dhe jetën publike të Kosovës është krijuar një zbrazëti, që çdo ditë e më tepër po bëhet edhe më e thekësuar. Problemet e Kosovës janë probleme që janë krijuar, grumbulluar për ndër shumë vite, prandaj edhe zgjidja e tyre nuk mund të bëhët brenda natës,nuk mund të zgjidhen nga një vetje (individ) sado i zoti/e zonja qofte ai/ajo. Duhet përfshirja e një shtrese sa më të gjërë të intelektualëve, ekspertëvë, por edhe enjerëzve të vullnetit të mirë. Koalicioni i shpresës është ky: unë, ti, ai/ajo – ne, ju, ata/ato. Koalicioni i shpresës është: puna me përkushtim e këmbëngulje, dashuria për vendin, kombin, respekti e kujdesi për njëri – tjetrin. Meqenëse gjer më tani u provuan gati të gjithë politikanët e partitë politike, koalicionet në mes tyre, ndoshta është koha, madje kaluar, që qytetarët të angazhohen më tepër në rrjedhat politike, duke i larguar nga skena politike politikanët e paaftë e të korruptuar. Tani koha nuk është për të qëndruar anash e vetëm duke bërë sehir. Është një anekdotë që i shkon bukur për shtati gjendjes së sotme në Kosovë e viset tjera shqiptare: Një baba i këshilloi djemtë e vet, që nëse ndonjëherë ndodhen në ndonjë gjendje, rrethanë të vështirë, ata le ta thërrasin nevojen dhe ajo do t’u vijë në ndihmë atyre. Djemtë shkuan ne mal për të marrë dru, por qerrja u thye dhe ata filluan me zë të lartë të thërrisnin nevojën. Thirrën sa thirrën, por nvoja nuk u erdhi në ndihmë, ata atëherë iu përveshën punës dhe e rregulluan qerren. Kur shkuan në shtëpi i treguan babait se çka u kishte ndodhur. I treguan se e kishin thirrur nevojën për ta ndrequr qerren, por ajo nuk kishte ardhur dhe ata vetë e kishin rregulluar. ateherë babai u tha: Ja që paska ardhur. Edhe ne, nuk mund të jetojmë vetëm duke shpresuar se dikush do t’i zgjidhë problemet tona. Në horizont nuk po duket askush që si pëllumb i shkruar është duke zbritur nga qielli për të na shpëtuar. Kush jeton me shpresë, vdes i zhgënjyer, i dëshpëruar – thotë një fjalë e urtë italiane.

 

Time-out, koha për reflektim

Shprehja ne anglisht, “time-out”, do të thotë ndërprerje e një veprimtarie, posaçërisht e një loje sportive. Kjo periudhë e shkurtër kohore përdoret për të pushuar pak lojtarët, për të biseduar me trajnerin, për t’u organizuar më mirë, pikërisht në ato çaste kur loja nuk është duke shkuar mirë. Është kjo periudhë kohore kur ndalojmë duke bërë diçka, që të pushojmë ose të bëjmë diçka tjetër. Në Amerikë kjo është edhe një periudhë e shkurtër e kohës kur një fëmijë duhet të ulët e të rri i qetë si një dënim për një sjellje të keqe. Në Kosovë nuk është vetëm klasa politike që është duke u sjellur keq, nuk është vetëm skena politike që është kapluar nga një plogeshti, amulli ngulfatësë, por gati e tërë shoqëria, të gjitha aspektet e jetës publike, arsimore, kulturore, ekonomike… Prandaj, të gjithë kanë nevojë që ta bëjnë një pushim, të ndajnë pak kohë e të reflektojnë, të vendosin se çka mund të bëjnë diçka ndryshe, dicka më mirë për veten e tyre, familjen dhe shtetin e Kosovës. Secili mund të bëjë diçka të mirë, të vlerë, diçka më ndryshe nga ajo që po ndodh tani.
Bashkatdhetarë të nderuar, mos pritni, por veproni, mos pritni për Godonë – ai kurrë nuk do të vijë duke e pritur, duke shpresuar!…

Filadelfia, 4 shtator, 2020.

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Comment

*