Kosova e humb shansin për Kampionatin Evropian të futbollit

Prishtinë, 8 tetor 2020 – Futbollistët e Kosovës u larguan me lot nga fusha e lojës në Shkup. Ata e humbën ndeshjen me Maqedoninë e Veriut dhe shansin për vazhdimin e garës kualifikuese për Kampionatin Evropian.

Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut e fitoi 2 me 1 ndeshjen dhe u kualiaikua për ndeshjen finale të Ligës së Kombeve, e vlefshme për kualifikim në fazën finale të europianit që zhvillohet vitin e ardhshëm.

Lojtarët e Maqedonisë së Veriut e fituan ndeshjen në saje të vetëmohimit, i cili sikur u mungoi lojtarëve të Kosovës.

Ekipi i Kosovës, ndonëse luajti pa pesë prej lojtarëve më të mirë titullarë, nuk ishte inferior në fushë, madje edhe e pati më shumë topin në posedim, por dështoi në duele dhe i la më shumë hapësirë ekipit kundërshtar, sidomos në mesin e fushës. Vetëm në minutat e fundit u pa ajo grinca e sportistëve që Luftojnë për fitore, por atëherë ishte vonë.

Përveç kësaj, ekipin e Maqedonisë së Veriut e ndoqi edhe fati. Madje, goli i parë, i cili i dha një impuls të fortë, u shënua nga një devijim pa dashje i mesfushorit Kosovar, Benjamin Kololli.

Megjithkëtë, lojtarët e Kosovës “u ngjallën” dhe arritën të barazojnë me golin e Hadërgjonajt, por lojarët e Maqedonisë së Veriut dolën përsëri në epërsi, me golin që e shënoi Velkovski.

Të gjithë golat u shënuan në pjesën e parë të ndeshjes. Në pjesën e dytë, lojtarët vendës u përpoqën me të gjitha forcat dhe me të gjitha mjetet të ruajnë rezultatin, duke inskenuar faule e lëndime, dhe, eventualisht, të shfrytëzojnë gabimet e lojtarëve mysafirë.

Përtej sportit, futbolldashësit kosovarë mund të gjejnë njëfarë ngushëllimi. Pesë prej futbollistëve të ekipit të parë të Maqedonisë së Veriut janë shqiptarë. Në qoftë se Maqedonia e Veriut e fiton ndeshjen e fundit në kuadër të Ligës së Kombeve, ndaj Gjeorgjisë ose ndaj Bjellorusisë, në fazën finale të Kampionatit Evropian do të bëjnë tifo për shqiptarët që luajnë me flamurin e Maqedonisë së Veriut.

(Ramadan Muçolli, Illyriapress)

Comment

*