“Kosova e Re” nuk e zgjidh problemin e energjisë në Kosovë

Prishtinë, 22 dhjetor 2017 – Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” me një bllok rreth 500 megavatësh, nga njohës të çështjeve energjetike konsiderohet një zhvillim pozitiv, por jo i mjaftueshëm që të arrijë të mbulojë kërkesat me energji elektrike që ka Kosova.

Gjatë kësaj javë Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, i cili parashikohet të vihet në punë në vitin 2023.

Ethem Çeku, ish-ministër i Energjisë në kohën kur ishte marrë vendimi për ndërtimin e këtij termocentrali, thotë për Radion Evropa e Lirë se nevojat energjetike të Kosovës janë disa herë më të mëdha se kapacitetet ndërtuese të këtij termocentrali.

“Ky termocentral ka hap pozitiv nëse zbatohet, por kapaciteti prej 500 megavatëve është i vogël për të zgjidhur problemin me të cilin Kosova po ballafaqohet. Kjo pasi termocentrali ‘Kosova A’ me blloqet e saj po mbahen dhunshëm në prodhim, po ashtu edhe ‘Kosova B’ e ka arritur fazën kur në aspektin kohor i ka kaluar një kohë e gjatë. Pra, dy termocentralet e vjetra që e mbulojnë pjesën dërmuese të energjisë elektrike janë në skadencë të afatit kohor”, thotë Çeku.

Sipas projektit fillestar, ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” ishte paraparë të bëhet me kapacitet të prodhimit prej 2100 megavatësh, 1600 megavatë më shumë se me marrëveshjen aktuale.

Por, si projekt i filluar qysh në vitin 2005, për vite të tëra, apo varësisht nga ndryshimi i Qeverisë, ka pësuar edhe ndryshime.

Çeku thotë se Kosova ka nevojë dha ka pasur nevojë të transformimit të blloqeve të vjetra në ndërtimin e blloqeve të reja.

“Qeveria është dashur dhe duhet të planifikojë në ndërtimet e termocentraleve të reja, që janë jo vetëm termocentrale në të cilin energjia elektrike përdoret për konsum, por të shndërrohet në mjet zhvillues ekonomik të Kosovës”, thotë Çeku.

Sipas të dhënave të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në vitet e fundit në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, në vit janë prodhuar gjashtë milionë megavatë energji elektrike.

Termocentrali “Kosova A”,  i cila ka pesë blloqe, i ka prodhuar dy milionë megavatë energji elektrike, ndërsa Termocentrali “Kosova B”, me dy njësi gjeneruese, ka prodhuar katër milionë megavatë energji elektrike.

Të dy termocentralet janë të vjetra prej më shumë se 30 vjet.

Edhe Hamdi Malushaj, drejtor në kompaninë “ Evroenergie”, kompani kjo që merret me analiza dhe studime të çështjeve energjetike në tregun e Kosovës dhe Gjermanisë, thotë se 500 megavatë janë të pamjaftueshme.

“Kosova në vitin 2017 është menduar të shpenzojë deri në 1400 megavatë, derisa deri në vitin 2023 kërkesa për energji elektrike do të rritet në deri 1700 megavatë”.

“Kosova ka mungesë të energjisë dhe termocentrali i ri edhe po të jetë efiqentë 500 megavatë nuk është i mjaftueshëm pasi që ‘Kosova A’ do të mbyllet pasi që është e vjetër. Gati mbetemi me një situatë të njëjtë dhe me një energji me të shtrenjtë, dhe prapë me mungesë të energjisë në treg”, thotë Malushaj.

Por, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të kompanisë amerikane “Contour Global” thonë se termocentrali i ri do të jetë një burim i qëndrueshëm i furnizimit me energji elektrike.

Sipas autoriteteve të Kosovës, ky projekt, përveç që do të sigurojë pavarësi energjetike, do të ketë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”, termocentrali “Kosova e Re” do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018, eventualisht në fillim të vitit 2019.

“Contour Global” do të shpallë një proces ndërkombëtar të prokurimit për të përzgjedhur kompaninë që do ta ndërtojë impiantin e Termocentralit “Kosova e Re”. Deri më sot, interesim për këtë kanë shfaqur disa kompani me shtrirje globale, si: “General Electric”, ”Mitsubishi Hitachi”, ”Siemens”, ”Doosan, etj.

(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL) 

Comment

*