Kosova eksporton më shumë në Serbi se në Shqipëri

Deficiti tregtar i Kosovës u thellua edhe më shumë në muajin qershor. Eksportet e Kosovës u rritën për 25 për qind, por ato arritën t’i mbulojnë importet me vetëm 14.9 për qind.

 

Prishtinë, 26 korrik 2017 – Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin qershor flasin për një deficit më të lartë tregtar në muajin qershor 2017 krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Diferenca në mes të importit dhe eksportit në muajin qershor ishte 217.5 milionë euro. Kjo do të thotë se 217 milionë euro kanë dal nga Kosova më shumë se sa që kanë hyrë nga shit-blerja e produkteve. Eksporti në muajin qershor e mbulon vetëm 14.9 për qind të importit.

“Eksporti i mallrave në muajin Qershor 2017 kishte vlerën 38,1 milionë euro, ndërsa importi 255,7 milion euro, është një rritje prej 25.9% për eksport, si dhe prej 3.4% për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016”, thuhet në raportin e ASK-së

Produktet minerale dhe metalet bazë vazhdojnë të kontribuojnë në eksporte.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: 28.1% të eksporteve e përbëjnë produktet minerale, 25.9% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 7.9% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 7.5% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 5.9% produktet bimore, 3.1% lëkurë dhe artikuj prej tyre, 2.0% tekstil dhe artikuj prej tekstili etj:”, thuhet në raport.

Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani janë baza kryesore e mallrave të importuara.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: 13.5% të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 13.0% produktet minerale, 11.7% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.5% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 7.6% mjetet e transportit, 7.5% produkte të industrisë kimike, 7.0% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 4.5% produktet bimore, etj”, thotë ASK-ja.

Eksportet dhe importet e Kosovës u rritën me vendet e Bashkimit Evropianë, në krahasim me muajin e njëjtë të një vitit më parë.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BEsë-28 arritën vlerën e 11,5 milionë euro ose rreth 30.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 77.3%. Partneret kryesor për eksportin e mallrave në BE janë: Austria (11.3%), Gjermania (3.9%), Danimarka (2.9%), Holanda (2.8%), Bulgaria (2.4%)”, thotë raporti.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 109,4 milionë euro ose 42.8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania (11.8%), Greqia (6.0%), Italia (5.7%), Polonia (3.0%), etj.

Tregtia e jashtme e Kosovës me vendet e CEFTA-së rezulton të jetë e lidhur më shumë Serbinë dhe Shqipërinë e më pas Maqedoninë.

Në muajin qershor 2017, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së ishin vetëm 18,9 milion € ose 49.6% të eksporteve të përgjithshme. Por, ASK-ja thotë se vlera e eksporteve me vendet e CEFTA-s shënoi një rritje prej 19.4%. Kosova, sipas ASK-së, më shumë eksporton në Serbi se sa në Shqipëri.

“Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë: Serbia (19.5%), Shqipëria (13.2%), Maqedonia (11.1%), Mali i Zi (4.1%)”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

E importet nga vendet e CEFTA-së në muajin qershor 2017 arritën në 71,6 milion euro ose 28.0% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.0%.

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.1%), Maqedonia (5.8%), Shqipëria (5.2%) dhe B&H (2.4%)”, thotë raporti i ASK-së.

Kosova shkëmben mallra e me vendet tjera të botë. Në muajin qershor, sipas të dhënave të ASK-së, eksportet arritën në 7.7 milionë euro ose 20.2 për qind me partnerë të rëndësishëm për eksport – Indinë me 9.3 për qind, Zvicrën me 5.4 për qind. Në anën tjetër, importet kapën vlerën e 74.5 milionë eurove ose 29.2 për qind, me pjesëmarrje më të lartë nga Kina me 9.8 për qind dhe nga Turqia me 9.7 për qind.

/Kallxo.com/ 

Comment

*