Kosova godet krimin në veri, Serbia kërcënon me luftë

Ruben Avxhiu

Grupet e arrestuara në veri të Kosovës nuk përfshijnë vetëm serbë. Anëtarë të rrjeteve kriminale, pavarësisht nga kombësia janë vënë në pranga.
Ka vite që veriu ndodhet në një lloj hapësire pa kontroll politik e ligjor të qartë dhe krimi i organizuar ka lulëzuar.
Në vend që të bashkëpunojë me Kosovën, Vuçiq ka mobilizuar forcat ushtarake dhe po kërkon ndalimin e “sulmeve ndaj serbëve”.
Banorët e Novi Pazarit janë ankuar se avionë Mig po fluturojnë mbi kokat e tyre, ndërsa Serbia po nxjerr dhëmbët e po kërcënon.
Propaganda serbe shpenzon shumë për ta paraqitur Kosovën si vatër krimi dhe trafiku, mirëpo sa herë që Kosova vepron kundër krimit, preken interesat e qeverisë serbe, e cila e përdor krimin e organizuar në veri të Kosovës për interesat e saj zgjedhore dhe politike.
Gjatë operacionit u lënduan dhe arrestuan dy oficerë të UNMIK-ut. Një prej tyre ishte rus dhe është liruar pas kërcënimit nga Rusia. UNMIK-u është një tjetër mbeturinë ligjore nga koha e pasluftës në Kosovë.
Mbështetja për operacionin e qeverisë në Kosovë duket se është totale. Po pasojat e kësaj ndërhyrjeje mbeten për t’u parë. Besoj, një tjetër betejë po zhvillohet tani në kanalet diplomatike.
Vuçiq, i shqetësuar nga protestat e opozitës, që nuk janë ndalur ka shumë nevojë për një krizë në Kosovë që të mund të largojë vëmendjen nga vetja e për ta kthyer pakënaqësinë e serbëve ndaj tij, në frikë dhe urrejtje ndaj shqiptarëve. Një tjetër metodë e trashëguar nga Millosheviqi.
Situata mund të kthehet lehtë në kritike. Është nga ato ngjarje që përcaktojnë se pjesë e kujt është vërtet Veriu i Kosovës. Është absurde që Kosovës të mos i lejohet të zgjidhë problemet e krimit aty. Çdo veprimtari e krimit dhe trafikut në këtë zonë kalon nga kufiri me Serbinë. Vuçiq dhe qeveria e tij mund ta kishin zgjidhur këtë problem vetë. Prej kohësh. Janë ata që ngacmojnë e bezdisin çdo qytetar të ligjshëm të Kosovës që kalon, gazetarë e zyrtarë, janë ata që pengojnë akademikët dhe humanitarët, ndërkohë që kriminelët e trafikantët hyjnë e dalin si në shtëpinë e tyre.
Përtej përplasjes publike, mbetet për t’u parë se si do të shfrytëzohet incidenti në raportin e negociatave të ngecura mes të dy palëve.
Çdo përpjekje për të luftuar krimin në veri duhet mbështetur. Po një qendrim i pavendosur nga Perëndimi mund të merret nga Serbia si një shenjë se mund të ndërhyjnë në veri. Nga KFOR te EULEX, nga UNMIK te Kuinti, Kosova ka një numër faktorësh politikë, ushtarakë, e policorë mes interesave të ndërlikuara të të cilëve duhet të lundrojë me zgjuarsi dhe vendosmëri.
Për Serbinë në Kosovë çdo gjë është politike dhe këtë incident gjithashtu do të përpiqet ta shfrytëzojë për politikë. Kosova mund të ketë të drejtë sa të dojë, ajo duhet të bëhet gati për të përballuar një stuhi politike e diplomatike që Serbia do të ngrejë kundër saj.
Do të ishte gjithashtu një moment i mirë për veprim të komunitetit shqiptaro-amerikan në Washington, ku mungesa jonë ndihet më shumë se kurrë në momente të tilla.

Comment

*