Kosova i kërkon Shqipërisë objektet e heroit shqiptar Boletini për ekspozitën e pavarësisë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri u prit nga homologia Mirela Kumbaro Furrxhi. Ministrat thanë se veprimtaritë do të jenë tash e tutje të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut, huazimi i gjësendeve të vlefshme të heroit shqiptar Isa Boletini për ekspozitën e 10-vjetorit të pavarësisë në Prishtinë dhe kalendari i përbashkët kulturor ishin tema bosht të bisedimeve mes ministrave Kujtim Gashi dhe Mirela Kumbaro Furrxhi.

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Gashi u prit në Tiranë të mërkurën. Ministrat thanë se janë të kënaqur nga bisedimet që shëmbëllojnë organizimin e përbashkët të veprimtarive Shqipëri-Kosovë, në linjë të njejtë me praktikat mes qeverive.

Ministrat Gashi dhe Kumbaro Furrxhi thanë gjithashtu që veprimtaritë të jenë tash e tutje të përbashkëta.

“Ekzistojnë gjashtë objekte në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë; xhamadanin, orën, armën dhe disa vegla të tjera. Kërkova që të na sillen përkohësisht në ekspozitën e përhershme në 17 shkurt. Ta kryejmë punën tonë, obligimin tonë në financimin e këtyre aktiviteteve, mbulimin teknik dhe fuqizimin e skenës së pavarur në Shqipëri dhe në Kosovë”, – tha ministri Gashi.

Kurse zonja Kumbaro Furrxhi theksoi se “parashtruam dhe një sërë projektesh në harmonizimin e legjislacionit, trashëgiminë kulturore, sponsorizimin e projekteve kulturore dhe të të drejtave të autorit, për të mbërritur brenda muajin shkurt në një kalendar të përbashkët”.

Kalendari i përbashkët kupton përfshirjen e të gjitha institucioneve të kulturës në veprimtaritë në Shqipëri dhe në Kosovë.

Comment

*